Dy persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në Gjakovë. Lajmi është konfirmuar për mediat nga zyrtarja për informim e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.
Sipas saj, rreth orës 16:40, Policia është njoftuar nga Qendra Emergjente e Spitalit të Gjakovës se dy persona kishin kërkuar ndihmë mjekësore, pasi dyshohet se ishin plagosur me armë zjarri.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë dalë njësitë policore, të cilat gjatë ekzaminimit kanë gjetur dhe sekuestruar tri gëzhoja dhe një armë të gjatë automatike.
Ndërkohë, personi i dyshuar për ngjarjen është arrestuar. Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të plagosjes.













