Konsultimet mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund të kthehen në një mundësi për të rikthyer besimin e partnerëve evropianë dhe për të rihapur rrugën e Kosovës drejt Këshillit të Evropës. Megjithatë, zgjidhja e mosmarrëveshjes për Gjykatën Speciale nuk do të mjaftonte vetë për të zhbllokuar procesin, pasi mbetet e pazgjidhur edhe çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Sipas një analize të Radios Evropa e Lirë, mënyra se si Prishtina do t’i trajtojë ndryshimet ligjore mund të shërbejë si tregues i përkushtimit të saj ndaj sundimit të ligjit dhe detyrimeve ndërkombëtare. Këto janë çështje që kanë peshë në vendimmarrjen e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës.
Kosova ishte pranë anëtarësimit në këtë organizatë në vitin 2024, por procesi u bllokua për shkak të kërkesave politike të disa shteteve, kryesisht të lidhura me Asociacionin. Edhe pse anëtarësimi dhe konsultimet për Ligjin për Dhomat e Specializuara janë dy procese të ndara, njohësit vlerësojnë se ato ndikojnë politikisht në marrëdhëniet e Kosovës me partnerët evropianë.
Më 5 nëntor, komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, konfirmoi se BE-ja po zhvillon bisedime me Qeverinë e Kosovës për ndryshimet në ligjin që rregullon funksionimin e Gjykatës Speciale. Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë publikisht hollësi për përmbajtjen e konsultimeve.
Kryeministri Albin Kurti, duke folur më 10 nëntor në Forumin e Paqes në Paris, nuk iu referua drejtpërdrejt këtyre ndryshimeve, por tha se pakënaqësitë me vendimet e Gjykatës Speciale duhet të trajtohen përmes apelimit.
Ndryshimet ligjore, të iniciuara nga Partia Demokratike e Kosovës, u miratuan në Kuvend më 6 tetor, pas protestave kundër aktgjykimit dënues të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë dënoi ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim.
Ndryshimet synojnë, ndër të tjera, kufizimin e juridiksionit të gjykatës dhe rishikimin e disa dispozitave që lidhen me procedurat dhe dënimet. Bashkimi Evropian i kundërshtoi, duke paralajmëruar se ato mund të bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe të cenojnë pavarësinë e gjykatës.
Më 22 tetor, presidentja Justina Shiroka Pula e ktheu ligjin në Kuvend për rishqyrtim. BE-ja e mirëpriti këtë vendim dhe kërkoi që të konsultohej për çdo ndryshim të mëtejshëm. Edhe Komisioni Evropian, në raportin e publikuar më 4 nëntor, ngriti shqetësime për përputhshmërinë e ndryshimeve me detyrimet ndërkombëtare, pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, si dhe llogaridhënien për krimet e luftës.
Ramadan Ilazi, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, vlerëson se konsultimet me BE-në mund t’i japin Kosovës mundësinë të tregojë se është e gatshme t’i trajtojë shqetësimet e partnerëve përmes dialogut dhe institucioneve.
“Nëse ndryshimet bëhen në mënyrë të njëanshme, rezervat ekzistuese vetëm sa do të forcohen. Nëse kalojnë përmes konsultimeve serioze, Kosova e forcon argumentin e saj” për anëtarësim në Këshillin e Evropës, thotë ai.
Ilazi thekson se shqetësimet për mënyrën se si Dhomat e Specializuara kanë administruar procesin gjyqësor mund të jenë legjitime, por duhet të trajtohen përmes dialogut dhe mekanizmave institucionalë, jo përmes ndryshimeve të njëanshme ligjore.
Ai nënshkroi edhe një deklaratë të përbashkët, të publikuar më 1 nëntor, së bashku me 20 akademikë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Kosova dhe jashtë saj. Në deklaratë kërkohet që shqetësimet për proceset gjyqësore në Hagë të trajtohen duke respektuar të drejtat e të akuzuarve, drejtësinë për viktimat dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.
“Drejtësia për viktimat nuk duhet të krijojë përshtypjen se po gjykohet vetë lufta çlirimtare”, thekson Ilazi, duke shtuar se viktimat dhe familjet e tyre, nga të gjitha komunitetet, meritojnë të vërtetën dhe llogaridhënien.
Nga ana tjetër, Engjëllushe Morina, hulumtuese e lartë në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, paralajmëron se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund të shndërrohen në një pengesë të re për Kosovën në rrugën drejt Këshillit të Evropës. Sipas saj, Kosova duhet të intensifikojë bashkëpunimin me BE-në dhe angazhimin diplomatik.
“Kosova nuk ka më kohë për të humbur. Duke pasur parasysh kontekstin politik në Evropë, gjërat po lëvizin shumë shpejt dhe viti 2027, me zgjedhje nacionale në shumë vende anëtare, mund ta ndryshojë konstelacionin politik në BE. Kjo mund të na çojë në një situatë ku Kosova do të ketë edhe më pak përkrahje”, vlerëson Morina.
Asociacioni, pengesa që mbetet
Përtej debatit për Gjykatën Speciale, Asociacioni i komunave me shumicë serbe vazhdon të jetë një nga pengesat kryesore politike për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Më 16 prill 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës rekomandoi pranimin e Kosovës me 131 vota pro, 29 kundër dhe 11 abstenime. Megjithatë, një muaj më vonë, aplikimi nuk u përfshi në rendin e ditës së Komitetit të Ministrave, organit që merr vendimin përfundimtar.
Gjermania, Franca dhe disa shtete të tjera kërkuan që Kosova ta dërgonte në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit, të përgatitur nga BE-ja, si dëshmi të përkushtimit ndaj marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë. Qeveria fillimisht e kundërshtoi kërkesën, por më pas ministrja e atëhershme e Jashtme, Donika Gërvalla, njoftoi se kishte dërguar një letër në Këshillin e Evropës, duke paralajmëruar se draft-statuti do të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit 2024. Ky veprim nuk mjaftoi për të zhbllokuar procesin.
Sipas Ilazit, Asociacioni nuk ishte kriter formal për anëtarësim, por u kthye në kusht politik të disa shteteve anëtare. Ai vlerëson se rekomandimi pozitiv i Asamblesë Parlamentare dëshmoi se Kosova i plotësonte standardet kryesore për pranim.
“Pra, sot problemi nuk është se Kosova është e papërgatitur. Problemi është mungesa e besimit politik. Ky besim mund të ndërtohet, por kërkon punë të vazhdueshme dhe të koordinuar”, thotë Ilazi.
Ndërkohë, nuk ka konfirmim publik se shtetet që e vendosën Asociacionin si kusht politik kanë hequr dorë nga kjo kërkesë.
Ilazi sugjeron që dërgimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese të mos shihet si lëshim politik, por si një mekanizëm për të garantuar përputhshmërinë e tij me Kushtetutën e Kosovës.
“Është procedurë kushtetuese që e mbron vetë Kosovën, sepse Gjykata garanton se çdo zgjidhje do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe me karakterin unitar të shtetit. Kosova duhet ta bëjë këtë hap, por jo në heshtje dhe jo si veprim të izoluar”, thekson ai.
Sipas tij, Prishtina duhet të sigurojë paraprakisht garanci politike nga partnerët kryesorë evropianë dhe Shtetet e Bashkuara se një hap i tillë do t’i hapte rrugën shqyrtimit të aplikimit.
A mund të jetë viti 2027 një mundësi e re?
Më 10 nëntor, Mali i Zi mori kryesimin gjashtëmujor të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, duke pasuar Monakon. Kryesimi do të përfundojë më 12 maj 2027, kur është planifikuar të mbahet takimi i ardhshëm vjetor ministror në Mal të Zi. Megjithatë, deri tani nuk ka konfirmim nëse aplikimi i Kosovës do të përfshihet në rendin e ditës.
Për pranimin e një anëtari të ri kërkohet mbështetja e dy të tretave të të gjithë përfaqësuesve që kanë të drejtë të marrin pjesë në Komitetin e Ministrave. Kjo do të thotë se, përveç përmbushjes së standardeve, Kosovës i nevojitet edhe një mbështetje e gjerë politike nga shtetet anëtare.
Ilazi vlerëson se për ta rikthyer aplikimin në agjendën e vitit 2027 nevojitet një angazhim i koordinuar diplomatik dhe hapa konkretë në raport me partnerët evropianë.
“Kjo kërkon tri gjëra: përmirësim të marrëdhënieve me BE-në, përfshirë një zgjidhje të konsultuar për ligjin e Dhomave të Specializuara, hapa të besueshëm në dialog dhe një fushatë diplomatike të koordinuar me shtetet që hezitojnë”, thotë ai.
Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do t’i mundësonte Kosovës përfshirjen në sistemin evropian të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përfshirë mundësinë që individët nën juridiksionin e saj t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

