Kuqezinjtë me një këmbë në krye, ja skenarët që i japin Shqipërisë vendin e parë
Kombëtarja shqiptare është gjithnjë e më pranë objektivit për të mbyllur në vendin e parë Grupin C1 të Ligës së Kombeve. Pas katër ndeshjeve të zhvilluara, kuqezinjtë kanë regjistruar tri fitore dhe një humbje, duke grumbulluar 9 pikë dhe duke kryesuar renditjen.
Megjithatë, gara mbetet e hapur, pasi Finlanda dhe Bjellorusia ndjekin Shqipërinë nga afër, me nga 7 pikë secila. Dy sfidat e fundit do të jenë vendimtare për fatin e grupit, pasi skuadra e drejtuar nga trajneri Rolando Maran do të përballet pikërisht me këto dy rivale.
Llogaritë janë relativisht të qarta për Kombëtaren. Me dy fitore në dy takimet e mbetura, Shqipëria do të siguronte pa asnjë diskutim vendin e parë, duke lënë pas të dyja kundërshtaret direkte.
Por kuqezinjtë mund t’ia dalin edhe me katër pikë, pra me një fitore dhe një barazim. Në këtë skenar, Kombëtarja do të arrinte në 13 pikë, një kuotë që do t’i garantonte kreun e grupit.
Ekziston edhe mundësia që Shqipëria të sigurojë objektivin me një rezultat më pak pozitiv, por duke qenë e varur nga ndeshjet e rivalëve. Për shembull, nëse barazon me Finlandën dhe Bjellorusia fiton ndaj San Marinos, të dyja skuadrat do të shkonin në kuotën e 10 pikëve. Në këtë rast, epërsia në përballjen direkte do të ishte në favor të Shqipërisë, sipas skenarit të paraqitur.
Megjithatë, rruga më e sigurt për kuqezinjtë është fitorja në përballjen e radhës ndaj Finlandës në Tiranë. Një sukses në këtë takim do t’i jepte Shqipërisë mundësinë që në transfertën e fundit ndaj Bjellorusisë të kërkonte qoftë edhe një barazim për të mbyllur garën në vendin e parë.
Arritja e këtij objektivi ka një rëndësi të veçantë për futbollin shqiptar. Përveç suksesit në Ligën e Kombeve, vendi i parë sjell një mundësi për të siguruar një rrugë drejt fazës “Play-Off” të Europianit 2028 dhe për të përfituar një pozicion më të favorshëm në vazot e shortit të eliminatoreve.




