Kryeministri Edi Rama, gjatë pjesëmarrjes në Forumin e Paqes që po mbahet në Paris, e vuri theksin te përdorimi i inteligjencës artificiale në administratën publike, duke e cilësuar atë si një mundësi të jashtëzakonshme për vende si Shqipëria.
Në një bashkëbisedim kushtuar zgjerimit të Bashkimit Europian dhe të ardhmes së brezit të ri, kreu i qeverisë foli për transformimin digjital dhe projektet që po zbatohen me ndihmën e IA-së.
I pyetur për ndikimin e inteligjencës artificiale në procesin e integrimit europian, Rama tha se Shqipëria po e përdor teknologjinë për të përshpejtuar përafrimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Europian.
“Deri më tani e kemi ndarë punën. Nuk është Shqipëria që vendos rregullat, por është Bashkimi Europian, kështu që nuk na takon ne. Sikurse mund ta dini, ne kemi ministren e parë me inteligjencë artificiale dhe jemi shumë të kënaqur me të. Po përmirësohet ditë pas dite dhe transformuam procesin e vjetër të legjislacionit europian përmes inteligjencës artificiale, një sasi pune që para nesh ka kërkuar shumë vite për t’u bërë”, u shpreh Rama.
Kryeministri solli si shembull përvojën e Kroacisë, duke theksuar se Shqipëria po përpiqet të ecë me ritme më të shpejta falë teknologjisë.
“Kroacia ishte një shembull i shkëlqyer, por iu deshën shtatë vite për ta bërë këtë proces, duke mobilizuar një ushtri përkthyesish, hartuesish dhe juristësh. Ne po e bëjmë me shumë më tepër shpejtësi”, tha ai.
Fokusi kryesor i ndërhyrjes së Ramës ishte përdorimi i inteligjencës artificiale në prokurimet publike, një projekt që sipas tij mund të sjellë ndryshime rrënjësore në mënyrën se si menaxhohen fondet publike.
“Po punojmë për diçka që unë shpresoj shumë që do të ketë sukses dhe që do të jetë një proces prokurimesh publike, plotësisht i kryer me inteligjencë artificiale. Kjo nuk është vetëm për ne, por është një ndryshim loje, sepse do të ndihmojë në zgjidhjen e shumë problemeve që lidhen me prokurimet publike”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se teknologjia dhe inteligjenca artificiale përfaqësojnë një avantazh të madh për vende me burime më të kufizuara njerëzore dhe financiare.
“Inteligjenca artificiale është bekim për vende si i yni. Ashtu si teknologjitë e reja janë bekime për vende si i yni, inteligjenca dhe teknologjia na ndihmojnë të bëjmë gjëra që në të kundërt nuk do të mundnim t’i realizonim”, tha kryeministri.
Rama nënvizoi gjithashtu progresin e Shqipërisë në transformimin digjital të shërbimeve publike, duke bërë të ditur se pjesa dërrmuese e tyre tashmë ofrohen online.
“95% të shërbimeve tona publike i kemi në internet dhe tani kemi krijuar Pasqyrën Digjitale, e cila do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve dhe do të transformojë marrëdhënien mes qytetarëve dhe institucioneve, tamam si dikush që përdor një shërbim të gjurmueshëm si DHL”, u shpreh ai.










