Një 39-vjeçar shqiptar është ekzekutuar me armë zjarri në zonën e Playa Flamenca, në jug të provincës së Alicante-s, në Spanjë. Ngjarja ndodhi këtë të martë, në rrugën San Nicolás de Bussi, ndërsa autori i dyshuar u largua nga vendi i krimit me një skuter elektrik.
Sipas mediave spanjolle, autori iu afrua viktimës në mënyrë të fshehtë, duke përdorur monopatinën elektrike, dhe më pas e qëlloi disa herë me armë zjarri. Pas atentatit, ai u largua me shpejtësi dhe u zhduk brenda pak sekondash.
Pas njoftimit në Qendrën e Informacionit dhe Koordinimit të Urgjencave, në vendngjarje mbërriti një ekip i shërbimit të emergjencës mjekësore SAMU. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë, mjekët nuk arritën t’i shpëtonin jetën 39-vjeçarit dhe konfirmuan vdekjen e tij në vend.
Policia spanjolle ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e motiveve të vrasjes. Deri më tani nuk janë bërë të ditura identiteti i të dyshuarit dhe arsyet që mund të kenë çuar në këtë atentat. Gjithashtu, nuk ka ende të dhëna zyrtare nëse ngjarja lidhet me ndonjë larje hesapesh.

