Bien kreditë me probleme në banka/ Në 3.59%, pranë nivelit më të ulët në 19 vite, huadhënia rritet me 12.5%

10/11/2026 20:02

Kreditë që qytetarët dhe bizneset nuk arrijnë të shlyejnë në kohë po pakësohen duke e çuar sistemin bankar shqiptar pranë nivelit më të ulët të kredive me probleme në gati 19 vite.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në shtator ky tregues zbriti në 3.59%, nga 3.66% një muaj më parë dhe 4.37% në shtator të vitit të kaluar. Niveli aktual është pothuajse i njëjtë me minimumin e regjistruar në janar 2008 kur kreditë me probleme përbënin 3.58% të totalit.

Përmirësimi nuk lidhet vetëm me faktin që qytetarët dhe bizneset po shlyejnë më rregullisht detyrimet e tyre por edhe me rritjen e portofolit të kredive dhe pastrimin e bilanceve të bankave nga huatë problematike.

Në vlerë absolute stoku i kredive me probleme arriti në rreth 36.4 miliardë lekë në fund të shtatorit me një rënie prej 7.6% krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë bankat vijojnë të rrisin huadhënien. Kredia për ekonominë arriti në 1.015 trilionë lekë me rritje vjetore prej 12.5%.

Kjo ecuri tregon përmirësim të cilësisë së portofolit të bankave dhe një aftësi më të mirë të huamarrësve për të përmbushur detyrimet financiare.

Top Channel