Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria synon të përmbyllë negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian në fund të vitit 2027, nëse procesi ecën sipas parashikimeve. Gjatë një bashkëbisedimi në Forumin e Paqes në Paris, ai foli gjithashtu për emigracionin, zhvillimin ekonomik dhe sfidat e demokracisë.
Duke iu referuar largimit të qytetarëve nga Shqipëria, Rama tha se nuk e konsideron emigracionin një prirje në rritje, por pjesë të një procesi që, sipas tij, shoqëron zhvillimin e vendit dhe rritjen e pritshmërive të njerëzve.
“Nuk do të thoja që është prirje në rritje për të emigruar, por pjesë e një rrugëtimi. Vendi zhvillohet, pagat rriten, ekonomia rritet, turizmi, pritshmëritë e njerëzve po ashtu. Ajo me të cilën po përballemi është evoluimi i pritshmërive më të larta. Nuk jemi vendi i 10 viteve më parë, por jemi krejt ndryshe. Dhjetë vjet më parë nuk do të shfaqeshim në shtypin francez, por sot jemi aty për plazhet, mikpritjen, pra është një vend ndryshe”, tha kryeministri.
Sa i përket integrimit europian, kreu i qeverisë theksoi se nuk mund të japë garanci për një proces që nuk varet vetëm nga Shqipëria. Megjithatë, duke iu referuar progresraportit të Komisionit Europian, ai tha se viti 2027 është përcaktuar si periudhë për të punuar me Traktatin e Anëtarësimit.
“E dini shumë më mirë se nuk premton dot asgjë për Europën. Unë kurrë nuk premtoj dot për gjëra që s’varen prej meje. Ajo që është e qartë, bazuar në progresraportin, Komisioni Europian është shprehur se 2027 është viti kur duhet të punojmë me Traktatin e Anëtarësimit dhe nëse çdo gjë shkon mirë, do t’i përmbyllim negociatat në fund të vitit të ardhshëm”, deklaroi Rama.
Ai nënvizoi se ecuria e procesit do të ndikohet edhe nga zhvillimet politike brenda Bashkimit Europian, duke përmendur në mënyrë të veçantë zgjedhjet e ardhshme në Francë.
“Kjo do të varet se ku do të jetë Bashkimi Europian për 2-3 vjet. Ku do të jetë Franca. Ju keni zgjedhje vitin e ardhshëm, askush nuk e di se ç’lloj France do të dalë nga këto zgjedhje. Ne duhet të bëjmë punën tonë dhe të përfundojmë punën tonë”, tha Rama.
Në diskutim u ndal edhe te demokracia, për të cilën u shpreh se nuk është një proces që mund të konsiderohet ndonjëherë i përfunduar, por kërkon përmirësim të vazhdueshëm.
“Demokracia është një kapitull që nuk mbaron kurrë. Nuk është e përkryer dhe gjithmonë duhet të kujdesemi për të dhe ta përsosim. Kemi shumë punë për të bërë. Edhe Franca nuk e ka përfunduar këtë punë. Është një punë që nuk mbaron kurrë”, u shpreh kryeministri.

