Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe se Serbia duhet ta pranojë atë si fakt, duke komentuar gjithashtu marrëdhëniet mes Bashkimit Europian dhe Beogradit.
Gjatë një diskutimi në Musée de l’Homme në Paris, në kuadër të Forumit të Paqes, Rama theksoi se Shqipëria ka qenë gjithmonë një vend paqedashës dhe se angazhimi për nxitjen e paqes mbetet i rëndësishëm, pavarësisht vështirësive në marrëdhëniet me fqinjët.
“Shqipëria ka qenë gjithmonë vend paqedashës. Jemi aktivë në nxitjen e paqes dhe ka disa gjëra në jetë për të cilat mund të jesh sado i lirë, por nuk mund të zgjedhësh. Nuk i zgjedh dot as kushërinjtë, as fqinjët. Fqinjët janë aty ku janë, por nuk do të jenë gjëkundi tjetër.
Në raport me BE-në dhe Serbinë, duket sikur gjërat nuk janë më mirë, ndërkohë që Kosova është e pavarur si shtet, njihet nga të gjithë, nuk ka më kthim mbrapa dhe nuk ka asnjë mënyrë për ta kthyer në një fantazi të re serbe. Sa më shpejt që serbët të kuptojnë se duhet ta shohin Kosovën si një fakt të jetës, aq më mirë do të jetë për ta”, tha Rama.

