Kosova ka shprehur gatishmërinë për të kontribuar me personel ushtarak në misionet e sigurisë dhe policimit në Gaza, në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuse (ISF), për dislokimin e së cilës Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë kanë nisur përgatitjet ushtarake pranë kufirit të enklavës palestineze së shkatërruar nga Izraeli.

Kosova është një nga gjashtë vendet që deri më tani i janë bashkuar ISF-së, krahas Shqipërisë, Indonezisë, Marokut, Kazakistanit dhe Ugandës. Ajo ka propozuar angazhim në misionet e sigurisë dhe operacionet e ruajtjes së rendit publik, kurse Kazakistani ka ofruar ndihmë mjekësore dhe logjistike, sipas mediumit izraelit Walla.

Qeveria e Izraelit i ka dhënë miratimin SHBA-sër vendosjen fillestare të rreth 250 pjesëtarëve të ushtrive partnere në Gaza. Megjithatë, ende nuk janë bërë të ditura hollësi për numrin e pjesëtarëve që Kosova mund të dërgojë, natyrën e angazhimit të tyre apo afatin e mundshëm të dislokimit të tyre në brendësi të territorit të Gazës.