“As Lista Studentore nuk po del nga binarët e politikës nacionaliste ndaj Kosovës”

Illija Sërdanoviq, bartës i listës zgjedhore “Lista Studentore – Studentët Fitojnë”, duke festuar pas publikimit të rezultateve të para të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi. Beograd, 25 tetor 2026.

Qëndrimet e para të Listës Studentore në Serbi lidhur me Kosovën nuk japin sinjale për ndryshim të politikës së Beogradit ndaj Prishtinës, kanë vlerësuar profesori Ibrahim Shala dhe avokati Emrush Kastrati.

Duke folur në Five të TV Dukagjinit, Shala ka thënë se deklaratat e para të përfaqësuesve të kësaj liste tregojnë se ata vazhdojnë të mbeten në linjën e politikës nacionaliste dhe ekspansioniste ndaj Kosovës.

Sipas tij, një tregues i rëndësishëm për përcaktimin e politikës së re serbe do të jetë edhe qëndrimi ndaj preambulës së Kushtetutës së Serbisë, e cila e trajton Kosovën si pjesë të territorit të saj.

“Siç shihet, shenjat e para, deklaratat e para, ata nuk po munden të dalin nga binarët e asaj politikës nacionaliste, shoviniste, ekspansioniste karshi Kosovës. Sepse kanë thënë se Kosova do të jetë çështja jonë e brendshme. Dhe askush ende nuk ka deklaruar prej kësaj partie se përcaktimi për Kosovën nga preambula kushtetuese do të hiqet”, ka deklaruar Shala.

Ai ka thënë se deklaratat e përfaqësuesve të Listës Studentore duhet të shihen me kujdes, derisa të bëhet e qartë se çfarë qëndrimi do të mbajnë kur të marrin pushtetin.

“Derisa kjo preambulë që e trajton Kosovën si pjesë integrale të Serbisë nuk ndryshohet, është e kotë që jepen deklarata demagogjike për t’i bërë qejfin Perëndimit. Ne duhet të presim derisa këta të vishen me pushtet dhe të shohim se çfarë qëndrimi kanë”, ka theksuar ai.

Edhe avokati Emrush Kastrati ka shprehur skepticizëm për mundësinë e ndryshimit të qasjes së Serbisë ndaj Kosovës pas fitores së Listës Studentore.

Në Five, ai ka kujtuar se në një takim të mëhershëm me përfaqësues të kësaj liste kishte dëgjuar qëndrime edhe më të ashpra ndaj Kosovës sesa ato të politikës së presidentit të deritanishëm serb, Aleksandar Vuçiq.

“Më kujtohet një takim i kësaj Listës së Studentëve dhe qëndrimet e tyre kanë qenë edhe më të ashpra ndaj Kosovës sesa politika e Vuçiqit. Nuk pres ndonjë pozitivitet nga politika e Serbisë në raport me Kosovën. Të shohim se si po reflektojnë tani me marrjen e pushtetit në raport me Kosovën”, ka deklaruar Kastrati.

Ndryshe, Lista Studentore fitoi zgjedhjet parlamentare në Serbi më 25 tetor, duke i dhënë fund sundimit 14-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit. Përfaqësuesit e saj kanë deklaruar se për çështjen e Kosovës do të veprojnë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, e cila e konsideron atë pjesë të territorit të saj.

Gjatë fundjavës, disa kandidatë të kësaj liste vizituan Kosovën, ku u takuan me përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe në Manastirin e Graçanicës.

Shija e redaktorit

Presidenti kroat pritet ta vizitojë Kosovën në fillim të dhjetorit

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, pritet ta vizitojë Kosovën në fillim të muajit dhjetor të këtij viti. Kështu ka mësuar Dukagjini nga burimet e veta...

Nufi: Shqipëria do ta mbrojë Kosovën, asnjë qeveri në Tiranë...

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka deklaruar se angazhimi i Shqipërisë për mbrojtjen e Kosovës është i pakushtëzuar, duke theksuar se asnjë...

Përkujtohet ditëlindja e heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti

Sot shënohet 64-vjetori i lindjes së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti. Ai u lind më 1 nëntor 1962...

Të fundit nga rubrika