Arbitrja shqiptare do të jetë gjyqtarja kryesore në përballjen e vlefshme për javën e katërt të fazës së grupeve, mes Juventusit dhe tetë herë fituesve të këtij kompeticioni.

Një tjetër vlerësim i rëndësishëm për arbitrimin shqiptar në arenën ndërkombëtare. UEFA i ka besuar Emanuel Rustës drejtimin e një prej përballjeve më prestigjioze të javës së katërt të Champions League për femra, atë mes Juventusit dhe OL Lyonnes.

Ndeshja do të zhvillohet mbrëmjen e së mërkurës, duke nisur nga ora 21:00, me arbitren shqiptare që do të jetë në qendër të vëmendjes në këtë duel të rëndësishëm europian.

Në njërën anë është Juventusi, një prej klubeve me traditë në futbollin italian të femrave, ndërsa përballë tij qëndron OL Lyonnes, një emër që nuk ka nevojë për shumë prezantim. Francezet janë rekordmene të kompeticionit, me plot tetë trofe të Champions League në historinë e tyre. Për Emanuel Rustën, kjo është një tjetër mundësi për të dëshmuar nivelin e saj në arenën më të rëndësishme të futbollit europian, duke përfaqësuar arbitrimin shqiptar në një përballje të nivelit të lartë.

Top Channel