Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar Serbisë të njohë pavarësinë e Kosovës dhe të mbajë përgjegjësi për sulmin terrorist në Banjskë.
Gjatë një bashkëbisedimi me studentët e Paris School of International Affairs, Kurti kërkoi edhe dorëzimin e Milan Radoiçiçit, të cilin e cilësoi si arkitektin kryesor të sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
Duke folur për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Kurti theksoi se udhëheqja e re në Beograd duhet të pranojë realitetin e Kosovës si shtet të pavarur, të njohur nga mbi 120 vende të botës.
Ai kërkoi gjithashtu që Serbia të ndalë fushatën kundër njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, duke përmendur edhe kundërshtimin e anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare.
Kreu i qeverisë së Kosovës foli edhe për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se lufta e Rusisë në Ukrainë e ka bërë më urgjent zgjerimin e Bashkimit Evropian. Sipas tij, procesi nuk duhet të krijojë dallime mes vendeve të rajonit në rrugën drejt integrimit.
Një tjetër çështje e ngritur nga Kurti ishte njohja e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së dhe katër shtetet anëtare të NATO-s që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.
Ai argumentoi se rrethanat historike të krijimit të shtetit të Kosovës, përfshirë represionin, spastrimin etnik dhe gjenocidin e përjetuar nga populli shqiptar, nuk mund të barazohen me lëvizjet separatiste.
