E martë, 10 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Zhvatën 50 milionë euro me call center, lirohet bashkëpunëtori i Amant Josifit
Lajme

Zhvatën 50 milionë euro me call center, lirohet bashkëpunëtori i Amant Josifit

Gjykata e Posaçme ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë për Merxhan Çelikun, 32-vjeçarin e akuzuar si pjesë e një organizate kriminale që dyshohet se përfitoi rreth 50 milionë euro përmes një skeme mashtrimi me call center.

Vendimi është marrë një ditë më parë nga gjyqtari Erjon Çela, i cili ka pranuar kërkesën e Çelikut për ndryshimin e masës së sigurisë të vendosur në mungesë në nëntor të vitit 2022. Kështu, i riu ka përfituar një masë më të lehtë, duke dalë nga qelia.

Merxhan Çeliku ishte arrestuar në Abu Dhabi, pas një periudhe prej dy vitesh në arrati. Pas ndalimit në Emiratet e Bashkuara Arabe, ai u ekstradua drejt Shqipërisë për t’u përballur me akuzat që lidhen me aktivitetin e dyshuar kriminal.

Çeliku dyshohet se ka qenë pjesë e rrjetit të mashtrimit të lidhur me Amant Josifin, i cili është shpallur në kërkim nga disa shtete europiane për përfshirjen e dyshuar në skema mashtrimi përmes qendrave të thirrjeve.

15 call center në katër shtete, qytetarët joshnin me investime në kriptovaluta

Dosja lidhet me një prej operacioneve më të mëdha ndërkombëtare kundër mashtrimeve financiare të kryera përmes call center-ave. Në nëntor të vitit 2022, një aksion i koordinuar nga Eurojust, Europol dhe policia spanjolle, në bashkëpunim me SPAK-un, çoi në zbulimin e 15 qendrave të thirrjeve që dyshohet se ishin pjesë e të njëjtit rrjet kriminal.

Aktiviteti i tyre shtrihej në disa vende, konkretisht në Shqipëri, Gjeorgji, Ukrainë dhe Maqedoninë e Veriut. Përmes këtyre strukturave, qytetarët kontaktoheshin nga operatorët dhe nxiteshin të investonin në kriptovaluta, me premtime për përfitime financiare.

Në realitet, sipas dyshimeve të hetuesve, bëhej fjalë për një skemë mashtrimi që kishte si objektiv përvetësimin e parave të viktimave. Dëmi financiar i atribuuar këtij aktiviteti llogaritet në rreth 50 milionë euro.

Ndryshimi i masës së sigurisë për Merxhan Çelikun shënon një zhvillim të ri në këtë çështje, e cila përfshin një rrjet me shtrirje në disa shtete dhe persona të dyshuar për përfshirje në mashtrime financiare përmes platformave të investimit dhe call center-ave.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.