Dëgjoi të shtënat dhe vrapoi drejt dhomës së gjumit, motra gjeti prezantuesen e njohur të mbuluar në gjak, arrestohet bashkëshorti i saj

10/11/2026 17:40

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Pakistanin, ku prezantuesja e njohur televizive Rabia Ahsan, 41 vjeçe, nënë e dy fëmijëve, është vrarë me armë zjarri nga bashkëshorti i saj brenda banesës së tyre.

Ngjarja ndodhi të dielën në Rawalpindi, vetëm disa orë pasi gazetarja kishte publikuar një video në kanalin e saj në YouTube. Sipas raportimeve të mediave lokale, të cituara nga “Daily Mail”, bashkëshorti i saj, Ahsan Tahir, dyshohet se e qëlloi me armë rreth orës 15:00, në banesën e tyre.

Rabia Ahsan ishte një nga prezantueset e kanalit të njohur informativ në gjuhën urdu, 92 News. Në momentin e ngjarjes, nëna dhe motra e saj ndodheshin jashtë banesës. Pasi dëgjoi të shtënat, motra e gazetares hyri me nxitim në dhomën e gjumit, ku e gjeti atë të shtrirë në një pellg gjaku, ndërsa bashkëshorti dyshohet se mbante ende armën në dorë.

Sipas autoriteteve, viktima kishte marrë një plagë arme zjarri poshtë qafës dhe një tjetër në anën e djathtë të shpinës. Ajo u shpall e vdekur në vendngjarje. Një nga detajet që e bën edhe më tronditëse ngjarjen është fakti se vetëm disa orë para se të vritej, Rabia Ahsan kishte publikuar një video në kanalin e saj në YouTube.

Në video, ajo diskutonte për zgjedhjet e mesit të mandatit në Shtetet e Bashkuara. Pas ngjarjes, policia sekuestroi një pistoletë në vendin e krimit dhe arrestoi bashkëshortin e saj, Ahsan Tahir.

Sipas raportimeve të mediave pakistaneze, ai nuk dispononte leje të vlefshme për mbajtjen e armës. Gjatë marrjes në pyetje, Tahir dyshohet se pranoi se kishte qëlluar me armë, por pretendoi se nuk e dinte që ajo ishte e mbushur me fishekë dhe se arma ishte shkrepur aksidentalisht. Këtë pretendim e raportoi gazeta pakistaneze “Samaa”.

Sipas raportimeve, çifti jetonte së bashku dhe kishte dy fëmijë. Deri më tani, nuk ishte raportuar ndonjë histori konflikti apo dhune në marrëdhënien e tyre. Zyrtari i policisë së Rawalpindit, Hassan Mushtaq Sukherea, deklaroi se autoritetet do të garantojnë një hetim të paanshëm për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes.

Ndërkohë, vdekja e gazetares ka shkaktuar reagime edhe në nivelet më të larta të politikës pakistaneze. Zonja e Parë e Pakistanit, Aseefa Bhutto-Zardari, reagoi përmes një deklarate, ku theksoi nevojën për përgjegjësi dhe mbrojtjen e grave.

“Incidente të tilla kërkojnë vëmendje serioze dhe llogaridhënie. Gratë duhet të jenë në gjendje të jetojnë dhe të punojnë pa frikën se mund të humbasin jetën”, u shpreh ajo.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Top Channel