Negociatat në Abu Dabi/ SHBA ndërmjetëson bisedimet Rusi-Ukrainë, Rubio kërkon përfshirjen e evropianëve
Delegacionet e Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë përfunduar ditën e parë të negociatave trilaterale në Abu Dabi, duke shënuar takimin e tyre të parë të këtij lloji pas më shumë se nëntë muajsh.
Ky raund bisedimesh vjen si pjesë e përpjekjeve intensive të Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës thuajse pesëvjeçare, ndërsa Kievi përballet me presione në lidhje me lëshimet territoriale. Përfaqësuesi i Rusisë në këtë tryezë është ndihmësi presidencial Vladimir Medinsky, historiani i njohur për qëndrimet e tij ultrakonservatore, ndërsa pala ukrainase po merr pjesë me fokus të veçantë te garancitë e sigurisë dhe çështjet humanitare.
Nga samiti i G7 në Paris, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cilësoi bisedimet e ditës së parë si “shumë produktive”, ndërsa theksoi domosdoshmërinë që formati trilateral të zgjerohet duke përfshirë edhe partnerët evropianë për të garantuar një zgjidhje qëndrueshme afatgjatë.
Ndërkohë, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, bëri me dije gjatë vizitës së tij në Danimarkë se diskutimet në Emiratet e Bashkuara Arabe u përqendruan kryesisht te shkëmbimi i robërve të luftës dhe kthimi i fëmijëve të deportuar.
Nga ana tjetër, kryeministrja daneze Mette Frederiksen paralajmëroi se një fitore e mundshme e Rusisë do të rrezikonte sovranitetin e vendeve të tjera evropiane, përfshirë ato të NATO-s. Negociatat në Abu Dabi pritet të rifillojnë ditën e nesërme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




