Ben Blushi vjen me “Historitë e çmendura të Tiranës”, kush ishte fisi që sundoi për 400 vite kryeqytetin e sotëm
Ben Blushi, një nga figurat më të njohura të jetës publike shqiptare, shkrimtar, publicist, gazetar dhe ish-politikan, rikthehet me një tjetër botim, këtë herë kushtuar qytetit të Tiranës. Pas një sërë veprash që kanë ngjallur interes dhe debat, mes tyre “Të jetosh në ishull”, “Otello, Arapi i Vlorës”, “Kandidati”, “41 Sekrete” dhe “Kryeministri”, Blushi sjell librin më të ri, “Historitë e çmendura të Tiranës”.
Një udhëtim në katër shekuj histori, nga viti 1600 deri në vitin 2000, përmes 38 kapitujve dhe rreth 100 personazheve realë. Nuk bëhet fjalë për një libër tradicional historie, por për një rrëfim për Tiranën përmes ngjarjeve dhe njerëzve që kanë shënjuar zhvillimin e saj. Një libër që, siç e përshkruan vetë autori, është shkruar si një serial, ku çdo kapitull mund të lexohet më vete.
Sot vjen në “Takohemi n’Vizion”, nën moderimin e Fjodora Fjora për të treguar historitë e pazakonta që fshihen pas Tiranës, personazhet që kanë shënjuar qytetin dhe ngjarjet që, sipas tij, kanë përcaktuar fatin e kryeqytetit ndër shekuj. Një rrëfim mbi librin e tij më të ri, por edhe mbi dashurinë për qytetin ku ka jetuar prej 57 vitesh.
Ben Blushi: Unë kam lindur në Tiranë, jam me origjinë nga Korça. Kam kujtime, mund ta bëj një libër për Korçën, por e fillova me Tiranën. E dua shumë. Kam 57 vjet që jetoj këtu. E njoh më shumë se Korçën. Korçën e njoh më shumë nga kujtimet e babait, ndërsa këtu kam jetuar.
Duke kërkuar për Tiranën, duke kërkuar ngjarje, fakte, data, personazhe, kuptova që ka shumë pak libra, shumë pak kujtime, shumë pak histori. Për shkak se ka aq pak, ne dimë shumë pak për historinë e Tiranës, sidomos për vitet 1600-1900. Më lindi ideja e çmendur ta rishkruaj historinë e Tiranës. Unë nuk jam historian. Unë kam mbledhur disa histori që, sipas meje, janë të çmendura, pra janë interesante, dhe i kam rishkruar.
Në vitin 2014 bëheshin 400 vjet nga themelimi zyrtar i Tiranës. Në vitin 2014, 400 vjet më vonë, unë thashë, po shkruaj diçka për Tiranën. Pastaj më doli para një projekt tjetër, se kështu ndodh, ka raste që del një libër tjetër, dhe e lashë në mes. Jo në mes, por kisha shkruar 10 faqe. Këtë vit iu riktheva. E lexova atë që kisha shkruar dhe s’më pëlqeu fare. E grisa dhe fillova ta rishkruaja nga e para. Kjo ka ndodhur më 1 janar. Të nesërmen, më 2 janar, vendosa të rishkruaja historinë e Tiranës. Kjo eci shumë mirë, punova 5-6 muaj, 10 orë punë, dhe në fund doli ky variant. Është një libër i shkruar si Netflix. Ka 38 kapituj që lexohen më vete.
Fjodora Fjora: Rreth 100 personazhe, të cilët janë figura që kanë shënjuar historinë e Tiranës. Sipas teje, janë njerëz të cilët nuk janë aktualisht në pushtet apo kanë lidhje me pushtetin.
Ben Blushi: Ka shumë personazhe që kanë qenë në pushtet. Ata e kanë bërë historinë. Kam zgjedhur histori që nuk janë të zakonshme. Kam futur vetëm ngjarje që, kur i lexon, e ke të vështirë t’i besosh që kanë ndodhur. Tirana e lexuar nga ky libër duket një qytet shumë i çmendur, i mbushur me gjëra të pamundura.
Në vitet 1600-1700, nëse nuk do të ndodhnin disa gjëra që ndodhën, Tirana mund të kishte mbetur një fshat, kryeqyteti ynë mund të ishte diku tjetër. Për shkak se ndodhën disa konflikte, ky qytet u rrit gradualisht derisa u bë kryeqytet dhe nuk ndryshoi më.
Një gjë që unë e tregoj, që është e çmendur dhe nuk ka ndodhur në asnjë kryeqytet të Evropës. Për krijimin e Tiranës ziheshin dy fise. Në kohën që këto dy fise grindeshin, Tirana vuante shumë, biznesi ra, burrat vriteshin, lindnin më pak fëmijë. Më në fund, duhet të gjenin paqe dhe çfarë bënë? Martuan katër motra me katër vëllezër. Ndodhën katër martesa brenda një dite dhe kjo është unike. Kështu lindi një dinasti shumë e madhe që drejtoi Tiranën për 400 vjet. Dinastia Toptani. Erdhën Toptanasit nga Kruja, u bënë zot të Tiranës dhe drejtuan për 400 vjet.




