Bashkimi Europian do të financojë me 50 milionë euro krijimin e një qendre të përbashkët për sigurinë detare në Detin e Zi, me synimin për të përshpejtuar funksionalizimin e saj. Qendra do të koordinohet nga Rumania dhe Bullgaria.
Lajmi u bë i ditur nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në qytetin portual të Varnës, në Bullgari. Ajo nënvizoi nevojën për të ecur përpara me projektin, duke përcaktuar afate konkrete për përfundimin e tij.
Nisma vjen në një moment kur siguria detare në rajon është vënë në pikëpyetje pas sulmeve të përsëritura me dronë detarë ndaj anijeve tregtare pranë brigjeve të Rumanisë dhe Bullgarisë. Sipas raportimeve të Reuters, të paktën nëntë anije janë goditur gjatë muajit të fundit, ndërsa disa pjesëtarë të ekuipazheve kanë humbur jetën dhe të tjerë rezultojnë të zhdukur.
Qendra e re do të shërbejë për të forcuar bashkëpunimin mes vendeve të rajonit, përmes shkëmbimit më të shpejtë të informacionit, monitorimit të hapësirës detare dhe rritjes së sigurisë së lundrimit. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet mbrojtjes së korridoreve detare, të cilat kanë rëndësi strategjike për tregtinë ndërkombëtare, furnizimin me energji dhe eksportet bujqësore të Ukrainës.
Paralelisht, edhe NATO ka paralajmëruar shtimin e masave të mbikëqyrjes në krahun lindor, duke përfshirë përdorimin e avionëve patrullues, radarëve dhe dronëve.
Von der Leyen theksoi se garantimi i lirisë së lundrimit në Detin e Zi mbetet një objektiv thelbësor për Bashkimin Europian, i cili synon një përgjigje të koordinuar ndaj kërcënimeve që rrezikojnë sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.

