Zelensky zhvillon bisedime me udhëheqësit nordikë për mbrojtjen ajrore dhe sigurinë energjetike

Europë | 3 minuta më parë

Danimarka mirëpriti këtë të martë bisedimet e sigurisë ndërmjet Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësve nordikë, ndërsa Kopenhaga njoftoi një paketë ndihme ushtarake prej 720 milionë dollarësh për Ukrainën.

Takimi me udhëheqësit e vendeve nordike zhvillohet në të njëjtën kohë kur përfaqësuesit ukrainas dhe rusë janë mbledhur në Emiratet e Bashkuara Arabe për bisedime paqësore të ndërmjetësuara nga SHBA-ja.

“Ky është një moment shumë i veçantë. Ne kemi negociata që po zhvillohen tani në Abu Dabi,” tha Zelensky gjatë një bashkëbisedimi me Kryeministren daneze Mette Frederiksen në Universitetin e Kopenhagës.

Zelensky bëri me dije se ishte informuar nga ekipi i tij dhe se palët kishin diskutuar çështje humanitare si dhe garancitë e sigurisë gjatë ditës së parë të negociatave të drejtpërdrejta me Rusinë.

“Një prioritet kryesor është ai humanitar, se si t’i kthejmë njerëzit tanë,” shpjegoi Zelensky, duke saktësuar se kjo përfshin si civilët — përfshirë fëmijët e marrë në Rusi — ashtu edhe robërit e luftës.

Presidenti ukrainas u takua me qeverinë daneze, e cila njoftoi një dhurim prej 4.8 miliardë kronash (720 milionë dollarë) në ndihmë ushtarake për Ukrainën. Po ashtu, 150 milionë krona të tjera do të dhurohen për sektorin energjetik të vendit.

Pas një leksioni për studentët në Universitetin e Kopenhagës, Zelensky dhe Frederiksen kishin në agjendë takimin me Kryeministrin suedez Ulf Kristersson, Kryeministrin norvegjez Jonas Gahr Støre dhe homologun e tyre finlandez Petteri Orpo.

Vendet nordike janë mbështetëse kyçe të Ukrainës. Zelensky udhëtoi në Oslo në fund të tetorit për t’u takuar me të dërguarit amerikanë. Pas këtij takimi, Støre dhe Presidenti finlandez Alexander Stubb zhvilluan një telefonatë 90-minutëshe me Presidentin rus Vladimir Putin — një lëvizje që Frederiksen e kritikoi duke thënë se nuk ishte koordinuar me fqinjët nordikë. Stubb e përshkroi bisedën me Putin si “të drejtpërdrejtë dhe përmbajtësore”.

“Pothuajse pesë vjet pas pushtimit me shkallë të plotë, shiu i bombave që synon civilët, qendrat e ndihmës si dhe impiantet e ujit e ngrohjes vazhdon. Kjo është arsyeja pse ne duhet të qëndrojmë të vendosur,” tha Frederiksen në një deklaratë të martën.

Gjatë vizitës, në Kopenhagë u reague me masa të rrepta sigurie: forca të shumta policore rrethuan zyrën e kryeministres daneze dhe helikopterët patrullonin nga ajri. Policia vendase njoftoi se do të rrisë nivelin e sigurisë për ditët në vijim, përfshirë ndalimin e përdorimit të dronëve mbi kryeqytet deri më 12 nëntor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme