Shtetet e Bashkuara kanë zhvendosur avionë ushtarakë nga baza ajrore britanike RAF Mildenhall pas një kërcënimi të lidhur me Iranin, sipas raportimit të “The Wall Street Journal” që citon burime të njohura me çështjen. Të dhënat e gjurmimit të fluturimeve, të analizuar nga CNN, tregojnë se të hënën u larguan 10 avionë amerikanë furnizimi me karburant në ajër, të tipit KC-135 Stratotanker. Katër prej tyre u transferuan në bazën Spangdahlem në Gjermani, një në bazën Ramstein në Gjermani, katër në bazën Moron në Spanjë dhe një në aeroportin Glasgow Prestwick në Skoci.
Paralelisht, autoritetet amerikane rritën nivelin e sigurisë në bazat RAF Mildenhall dhe RAF Lakenheath në kategorinë FPCON Charlie. Sipas “The Wall Street Journal” dhe medias së specializuar “The War Zone”, duke cituar një zyrtar amerikan, ky është niveli i dytë më i lartë në sistemin e mbrojtjes së forcave të Pentagonit dhe nënkupton mundësinë e një akti terrorist ose të një sulmi të synuar.
Një zyrtar amerikan tha për CNN: “Ne marrim masa paraprake për të garantuar që avionët, personeli dhe instalimet tona të mbeten të sigurta dhe të mbrojtura.” Një tjetër zyrtar nga Komanda Evropiane e SHBA-së theksoi se avionët ushtarakë amerikanë zhvendosen rregullisht mes bazave për arsye të ndryshme, përfshirë stërvitjet dhe nevojat operacionale, dhe shtoi: “Për arsye të sigurisë operacionale, nuk do të japim informacione të mëtejshme mbi lëvizjen e mjeteve ushtarake.”
Një zëdhënës i Ministrisë britanike të Mbrojtjes deklaroi se autoritetet britanike “nuk komentojnë në mënyrë rutinë aktivitetet e vendeve të tjera” dhe se “avionët dhe mjetet e tjera zhvendosen rregullisht në përputhje me kërkesat operacionale”.
Zhvendosja e avionëve vjen pas një kërcënimi të lidhur me Iranin të raportuar muajin e kaluar ndaj bazës RAF Fairford, e cila ishte përdorur nga bombarduesit amerikanë B-1 për sulme ndaj Iranit. Avionët u tërhoqën për arsye sigurie pasi pesë persona u arrestuan më 27 shtator jashtë bazës. Prokuroria britanike ngriti akuza ndaj dy shtetasve britanikë sipas Ligjit për Sigurinë Kombëtare; policia tha se dy personat dyshoheshin për ndihmë ndaj Iranit. Autoritetet amerikane nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme mbi natyrën e kërcënimit ndaj RAF Mildenhall.

