Në republikën e mrekullueshme të tezeve, hallave dhe lidhjeve farefisnore, ku meritokracia digjet si kashta e vjetër nën flakët e nepotizmit, Porti i Durrësit sapo ka fituar një drejtues të ri, të lidhur më shumë me rrjetën e gjakut sesa me atë të meritës.
Djali i tezes së ish-ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, Andrea Shllaku, është komanduar në krye të këtij institucioni kyç, duke i dhënë një kuptim krejt tjetër shprehjes “lidhje detare”.
Sepse, çfarë është një port pa anije? Thjesht një hapësirë boshe që mund të mbushet me degët e pemës familjare, ku kushëririt të ish-ministrit nuk i duhet domosdoshmërisht busull apo përvojë, për sa kohë ka pemën gjenealogjike të përshtatshme për karrigen e radhës.
Ndërkohë, paraardhësi i tij, Liburn Aliu, i cili kishte bërë një rrugë të gjatë nga qeveria e Albin Kurtit deri në brigjet tona, është larguar nga posti pa ndonjë njoftim zyrtar, duke lënë pas misterin e radhës të një karrigeje që lëviz sipas erërave të pushtetit.
Në këtë teatër absurditeti, ku drejtorët ndërrohen si çorapet dhe institucionet duket sikur menaxhohen me logjikën e sofrës së dasmës, qytetarëve u mbetet vetëm të paguajnë faturën e këtij lundrimi, ku për të marrë timonin, më e rëndësishme se të njohësh detin, duket se është të dish se cilit ish-ministër i ke dajë apo teze.