Më 1 janar të vitit të ardhshëm, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) pritet të nisë zbatimin e autonomisë financiare, një reformë që synon të sjellë përmirësim të shërbimeve dhe rritje të cilësisë së kujdesit për pacientët.
Po kështu, është parashikuar edhe nisja e funksionimit të Institutit të Onkologjisë, së bashku me aparaturën e shumëpërfolur të PET Scan, e cila pritet të përmirësojë diagnostikimin dhe trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale.
Për këtë vit, vetëm për Qendrën Spitalore Universitare janë planifikuar 16.3 miliardë lekë buxhet. Megjithatë, gjatë diskutimeve në Komisionin e Shëndetësisë, deputetët kanë ngritur shqetësime për mungesën e barnave, si dhe për pajisjet mjekësore që nuk janë funksionale në mënyrë të vazhdueshme.
Në buxhetin e ri janë parashikuar 6.3 miliardë lekë për barna dhe materiale mjekësore, 396 milionë lekë për investime, 900 milionë lekë për materiale dhe pajisje laboratorike, 780 milionë lekë për sterilizimin e integruar, si dhe 566 milionë lekë për mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore.
Ndërkohë, gjatë vitit 2027 pritet të përfundojë ndërtimi i godinës së re të Pediatrisë, si dhe të realizohen investime për shërbimin e Djegie-Plastikës, Psikiatrinë dhe shërbime të tjera spitalore.
Një tjetër problematikë që pritet të marrë zgjidhje është edhe parkimi brenda territorit të QSUT-së. Çdo ditë, në ambientet e qendrës spitalore hyjnë rreth 1,800 automjete, duke krijuar vështirësi në qarkullim dhe në gjetjen e vendeve të parkimit për pacientët dhe familjarët e tyre.
Top Channel