Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, zhvilloi sot një vizitë në Elbasan, ku takoi familjet e prekura nga shpërthimi në një pallat banimi, për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për të ndjekur nga afër masat e marra për strehimin dhe zgjidhjen përfundimtare të situatës.
I shoqëruar nga përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore, Demo u njoh me nevojat e banorëve që janë detyruar të largohen nga banesat e tyre. Ministri theksoi se siguria e qytetarëve dhe mbështetja për çdo familje të prekur mbeten prioritet i institucioneve.
“Ne jemi këtu sot për të treguar vullnetin e qartë të të gjitha institucioneve që kjo situatë do të marrë një zgjidhje. Këtë problematikë do ta ndjekim në vazhdimësi, për të gjetur zgjidhjen afatgjatë”, u shpreh Demo.
Gjatë takimit, banorët vlerësuan ndërhyrjen dhe profesionalizmin e forcave zjarrfikëse në përballimin e situatës, si dhe praninë dhe mbështetjen e ministrit për të ndjekur shqetësimet e tyre deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare.
Për momentin, strehimi i sigurt dhe përmbushja e nevojave të përditshme të familjeve janë çështjet më urgjente. Bashkia e Elbasanit po ofron mbështetje përmes bonusit të qirasë dhe masave të tjera për të përballuar periudhën tranzitore.
“Bashkia është këtu për të dhënë ndihmën dhe mbështetjen e parë, për të kaluar këtë periudhë tranzitore, por patjetër që kjo situatë kërkon një zgjidhje më afatgjatë. Këtu do të nevojitet ndërhyrja dhe bashkëpunimi i disa institucioneve”, deklaroi ministri.
Sa i përket të ardhmes së godinës së dëmtuar, Demo bëri të ditur se vendimmarrja do të mbështetet te ekspertiza teknike, duke vendosur sigurinë e banorëve mbi çdo konsideratë tjetër.
“Jemi në pritje të raportit përfundimtar dhe, pas këtij raporti, alternativat që do të marrim në konsideratë do të bazohen mbi rezultatet e tij. Inxhinierët do të vlerësojnë strukturën e godinës dhe ndërhyrjet e mundshme që mund të kryhen. Në bazë të këtij informacioni do të përcaktojmë alternativat për t’i dhënë zgjidhje problematikës”, u shpreh Demo.
Ministri kërkoi bashkëpunim të vazhdueshëm mes institucioneve përgjegjëse, në mënyrë që vlerësimi teknik, mbështetja për strehimin dhe hapat drejt një zgjidhjeje afatgjatë të mos shoqërohen me vonesa të panevojshme.
Në vizitë morën pjesë prefekti i Qarkut Elbasan, Ilir Bejtja, kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, përfaqësues të Emergjencave Civile dhe ekspertë të Institutit të Ndërtimit. Sipas ministrit, angazhimi institucional do të vijojë deri në përcaktimin dhe zbatimin e zgjidhjes për familjet e prekura.