Monitorimi ajror i parcelave me kanabis/Shqetësim kultivimi në zonat e thella, të vështira për tu identifikuar
Bashkëpunimi mes dy vendeve në luftën kundër kultivimit të kanabisit dhe krimit të organizuar do të ketë fokus edhe përmirësimin e teknologjisë dhe rritjen e nivelit të sigurisë, pasi Shqipëria synon anëtarësimin në familje evropiane.
“Operacionet policore të zhvilluara me partnerët ndërkombëtarë janë rritur nga 53 në 108 brenda një viti. Për mua, suksesi i Policisë nuk matet vetëm me numrin e operacioneve, arrestimeve apo hektarëve të kontrolluar. Matësi përfundimtar është se sa të sigurt ndihen qytetarët dhe sa më pak hapësirë kanë grupet kriminale për të operuar. Duke qenë se Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit janë porta drejt Bashkimit Evropian, ne duhet ta rrisim nivelin e sigurisë”, u shpreh ministri Ervin Demo
Drejtori i Policisë së Shtetit tha se, pas rezultateve të arritura, fokus është te forcimi i masave parandaluese, veçanërisht pranë institucioneve arsimore dhe ambienteve ku kalojnë kohën të rinjtë.
“Ajo duhet të vijojë deri në goditjen e zinxhirit të shpërndarjes dhe shitjes, me qëllim që lëndët narkotike të mos përfundojnë te të miturit, të rinjtë dhe nxënësit, duke rrezikuar shëndetin, sigurinë dhe të ardhmen e tyre”, tha Hita.
Gjatë vitit 2026 janë evidentuar në tentativë kultivimi 132 mijë fidanë kanabisi, 195 persona janë arrestuar, ndaluar apo proceduar.
Janë konstatuar 89 raste të moskallëzimit të krimit, ku përfshihen kryetarë fshatrash, punonjës të OSHEE-së dhe të shërbimit pyjor, si dhe 17 raste të kultivimit në ambiente të mbyllura, të njohura si “shtëpi bari”.
Për kontrollin e territorit janë përdorur 84 dronë dhe janë realizuar 62 misione fluturimi, 10 më shumë se vitin e kaluar. Në shtatë raste është angazhuar edhe mbështetja e helikopterëve të Forcave të Armatosura. Ndërkohë, janë finalizuar 31 operacione policore, disa prej tyre në perimetrin e shkollave.
Misioni i përbashkët i monitorimit nisi në maj dhe përfundoi në tetor, duke mbuluar 67% të territorit të vendit.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



