Reforma zgjedhore, ambasadorja e BE-së takon Gjiknurin dhe Bylykbashin: Duhen rezultate konkrete, vullnet politik dhe dialog i sinqertë nga palët
Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka zhvilluar takimin e parë me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi. Në fokus ishin afati i ngushtë kohor, prioritetet dhe gjithëpërfshirja e procesit.
Ambasadorja Moreira de Sousa bëri të ditur se në takim u diskutua për afatin e ngushtë kohor në dispozicion të Komisionit, si dhe për fushëveprimin, prioritetet dhe gjithëpërfshirjen e reformës.
Moreira de Sousa theksoi se cilësia e reformës zgjedhore është po aq e rëndësishme sa koha kur ajo realizohet, duke nënvizuar se procesi lidhet drejtpërdrejt me besimin e publikut, konkurrencën e ndershme dhe integritetin e zgjedhjeve.
Sipas ambasadores, reforma zgjedhore përbën gjithashtu një element të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Ajo rikujtoi se rekomandimet e OSBE/ODIHR-it janë të qarta prej kohësh dhe se puna e përbashkët e realizuar deri më tani duhet të përkthehet në rezultate konkrete.
“Me vullnet politik dhe dialog të sinqertë nga të gjitha palët, kjo është e arritshme”, u shpreh ambasadorja e BE-së.
Reforma zgjedhore mbetet një prej çështjeve të rëndësishme në agjendën politike dhe institucionale të vendit, ndërsa Komisioni i Posaçëm pritet të zhvillojë punën për adresimin e rekomandimeve ndërkombëtare dhe përmirësimin e kuadrit zgjedhor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



