Ndërpritet seanca fillestare ndaj Adnon Jasharit, i akuzuar për vrasjen e Diana Kastratit 15 vite më parë

10 Nëntor 2026 | 14:47

Seanca fillestare gjyqësore ndaj Adnon Jasharit, i akuzuar për vrasjen e Diana Kastratit para 15 vjetësh, u ndërpre më 10 nëntor në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi mbrojtja deklaroi se nuk ishte pajisur me shkresat e lëndës.

Avokati i të akuzuarit, Haxhi Millaku, tha se aktakuzën e kishte pranuar vetëm ditën e seancës, ndërsa Prokuroria nuk ia kishte dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm për përgatitjen e mbrojtjes.

Ai kërkoi shtyrjen e seancës, duke argumentuar se të akuzuarit duhet t’i garantohet një proces i drejtë, pavarësisht veprës penale për të cilën akuzohet.

Prokurorja Fatmire Cacaj tha se shkresat i ishin dorëzuar avokates tjetër të të akuzuarit, Arditë Berisha, por pranoi se edhe Millaku kishte të drejtë të pajisej me to.

Gjyqtarja Sulltane Hoti vendosi ta shtyjë seancën për 23 dhjetor dhe e obligoi Prokurorinë t’ia dorëzojë shkresat e lëndës mbrojtjes.

Jashari, i cili ndodhet në arrati që nga viti 2011, nuk ishte i pranishëm në seancë. Prokuroria ka kërkuar që gjykimi ndaj tij të zhvillohet në mungesë. Ai akuzohet për vrasje të rëndë dhe mbajtje të paautorizuar të armëve.

Diana Kastrati ishte 27 vjeçe dhe nënë e një vajze kur u vra me armë zjarri më 18 maj 2011 në Prishtinë, vetëm 22 ditë pasi kishte kërkuar mbrojtje emergjente nga gjykata.

Gjykata nuk kishte vepruar ndaj kërkesës së saj. Në vitin 2013, Gjykata Kushtetuese konstatoi se ky mosveprim kishte shkelur të drejtën e saj për jetë.

Aktakuza fillestare ndaj Jasharit ishte ngritur më 30 nëntor 2023, ndërsa më 19 mars 2026 Prokuroria e plotësoi atë, pas kërkesës së gjykatës për zbatimin e dispozitave të Kodit Penal që ishte në fuqi në kohën e vrasjes.

Në fund të tetorit, Prokuroria njoftoi për procedimin e rastit në mungesë, ndërsa më 6 nëntor, Policia e Kosovës publikoi fotografitë e Jasharit dhe kërkoi ndihmën e qytetarëve për lokalizimin e tij.

Kërkesa për mbrojtje që mbeti pa përgjigje

Sipas dokumenteve gjyqësore, Diana Kastrati kishte bashkëjetuar për më shumë se dhjetë vjet me të akuzuarin, me të cilin kishte një vajzë.

Në janar të vitit 2011, ajo kishte paraqitur padi për shkëputjen e bashkësisë jashtëmartesore dhe ishte zhvendosur bashkë me vajzën te prindërit e saj.

Më 26 prill, për shkak të kërcënimeve të pretenduara ndaj saj dhe vajzës, Kastrati kërkoi urdhër mbrojtjeje emergjente nga Gjykata Komunale në Prishtinë.

Gjykata kishte detyrimin të vendoste brenda 24 orëve, por nuk iu përgjigj kërkesës. Më 18 maj, Diana u vra me armë zjarri në Prishtinë.

Prindërit e saj, Gëzim dhe Makfire Kastrati, iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, e cila në shkurt të vitit 2013 konstatoi se mosveprimi i gjykatës kishte shkelur të drejtën e Dianës për jetë dhe të drejtën për mjete juridike efektive.

Familja kërkoi më pas dëmshpërblim nga shteti. Në vitin 2019, Gjykata Themelore në Prizren caktoi kompensim prej 95 mijë eurosh, por Gjykata e Apelit e uli shumën në 30 mijë euro në shkurt të vitit 2023.

Sipas vendimit të Apelit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Qeveria u detyruan ta paguanin këtë shumë në mënyrë solidare.

Pse rasti mbeti pa epilog penal?

Për vite me radhë, një nga pengesat për zhvillimin e procesit gjyqësor ishte pamundësia e ekstradimit të të akuzuarit nga Spanja, shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Në vitin 2022, institucionet kosovare kishin konfirmuar se autoritetet spanjolle kishin refuzuar kërkesën për ekstradimin e tij.

Megjithatë, mbetet e paqartë pse u deshën 15 vjet që të kërkohej gjykimi në mungesë dhe çfarë veprimesh ndërmorën institucionet gjatë kësaj periudhe.

Radio Evropa e Lirë e pyeti Prokurorinë Themelore në Prishtinë për arsyet e vonesave, zhvillimet në hetime dhe vendndodhjen aktuale të të akuzuarit, por nuk mori përgjigje.

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka vlerësuar se pengesat për ekstradim nuk duhet të arsyetojnë vonesa të pakufizuara dhe se autoritetet duhet të sqarojnë nëse kanë shfrytëzuar të gjithë mekanizmat e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Gjykimi në mungesë mund të mundësojë vazhdimin e procedurës pa praninë e të akuzuarit, nëse plotësohen kushtet ligjore.

Jashari prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Nga Diana Kastrati tek Arlinda Zekaj

Rasti i Diana Kastratit është rikthyer në vëmendje në kohën kur një tjetër vrasje ka ngritur shqetësime për mbrojtjen e grave nga dhuna në Kosovë.

Më 25 tetor, Arlinda Zekaj u vra në Pejë. Për vrasjen e saj dyshohet ish-kunati, Albert Sylaj. Zekaj është njëra nga tetë gratë e vrara në Kosovë gjatë këtij viti. Para vrasjes, ajo kishte raportuar dhunë dhe kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet.

Sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Gjykata Themelore në Pejë kishte lëshuar urdhër mbrojtjeje emergjente më 7 shtator, por ai kishte të bënte me bashkëshortin e saj, jo me të dyshuarin për vrasjen.

Inspektorati Policor i Kosovës konstatoi se nuk ishte dokumentuar ekzekutimi i urdhrit të parë të mbrojtjes, ndërsa urdhri i dytë, i lëshuar më 16 tetor, ishte ekzekutuar me gjashtë ditë vonesë.

Pas këtyre gjetjeve, 11 zyrtarë policorë u pezulluan nga detyra. Zekaj i ishte drejtuar edhe kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, duke pretenduar se kishte pasur vonesa dhe parregullsi në trajtimin e rastit të saj.

Megjithëse rrethanat e dy vrasjeve janë të ndryshme, të dyja rastet kanë ngritur shqetësime për efektivitetin e mbrojtjes institucionale të grave që raportojnë dhunë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Tre emra, një post! Rama, Bajrami dhe Gashi synojnë kreun e LDK-së

Edhe pse zgjedhjet e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës pritet të mbahen në nëntor të vitit 2027, gara për drejtimin e partisë ka nisur...
14:23 | 10/11/2026

Kurti pyetet për Gjykatën Speciale në Paris: Kur s’je i kënaqur me vendimin, bën gjithçka që duhet për ta apeluar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një diskutimi në kuadër të Forumit të Paqes në Paris është pyetur edhe për drejtësinë ndërkombëtare dhe Gjykatën Speciale....
14:04 | 10/11/2026

Kurti shoqërohet nga bashkëshortja gjatë vizitës në Paris, fotografohen para Kullës Eiffel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Rita Augestad Knudsen, gjatë vizitës në Paris, ku po merr pjesë në Forumin e...
13:05 | 10/11/2026