Eksplozivi në biznesin e Noizyt në Durrës, dëshmojnë Noizy dhe babai i tij në gjyqin ndaj Laert Haxhiut: Isha në gjumë

10 Nëntor 2026 | 14:32

Këngëtari Rigels Rajku, i njohur si Noizy, dhe babai i tij, Bashkim Rajku, kanë dëshmuar në procesin gjyqësor ndaj Laert Haxhiut, lidhur me vendosjen e eksplozivit në biznesin e këngëtarit në Durrës, në qershor të vitit 2022.

Të dy ishin thirrur nga SPAK në cilësinë e dëshmitarëve. Ndërkohë, Laert Haxhiu nuk ishte i pranishëm në seancë, por u përfaqësua nga avokati i tij mbrojtës, Detar Hysi.

I pari që u pyet nga prokurori i çështjes, Behar Dibra, ishte Bashkim Rajku. Ai tregoi se kishte dëgjuar shpërthimin dhe më pas kishte konstatuar dëmtimin e xhamave të dyqanit, i cili ndodhej në të njëjtin pallat ku jetonte familja.

I pyetur se me çfarë e lidhte ngjarjen, Rajku tha se nuk kishte dijeni konkrete, por përmendi konfliktet e mëparshme të të birit me Kleviol Ahmetin.

“Djali im është artist, mund të ketë pasur ndonjë fërkim apo hatërmbetje. Nuk kishim dyshime në momentin e parë. Ju e dini historinë, ka pasur fërkime me atë të Lushnjës. Nuk kam fakte ta them konkretisht. Punë artistësh”, deklaroi ai.

Më tej, Bashkim Rajku tregoi se një ditë para shpërthimit, disa persona kishin shkuar me makina pranë lokalit dhe kishin provokuar të birin, duke shkaktuar një përleshje. Ai tha se nuk kishin pasur më parë njohje me Kleviol Ahmetin, ndërsa dëmi nga shpërthimi, sipas tij, kishte qenë rreth 30 mijë euro.

Në vijim të seancës u pyet edhe Noizy, i cili tregoi se në momentin e shpërthimit ishte në gjumë dhe ishte zgjuar nga zhurma. Për ngjarjen ishte njoftuar nga babai i tij.

“Isha në gjumë, shpërthimi më zgjoi. Më merr babi, më thotë ngjarjen. Unë i kam thënë nuk dua të dal se më shohin njerëzit”, dëshmoi këngëtari.

Ai sqaroi se objekti ku ishte vendosur eksplozivi përdorej për shitjen e rrobave dhe deklaroi se kishte pasur dijeni për personin që, sipas tij, qëndronte pas ngjarjes.

Noizy tha se Kleviol Ahmeti kishte deklaruar vetë në rrjetet sociale se eksplozivin e kishte vendosur me porosi të Laert Haxhiut. Ai përmendi gjithashtu një tjetër episod, kur sipas tij, rreth dy muaj para dëshmisë, ishte vendosur eksploziv në një kuti picash, por fitili nuk ishte ndezur.

Këngëtari tregoi se një ditë para shpërthimit në biznesin e tij kishte pasur një konflikt fizik me Kleviol Ahmetin, i cili, sipas dëshmisë së tij, kishte mbërritur në lokal së bashku me rreth 20 persona.

“Një ditë më parë patëm një përleshje me Kleviol Ahmetaj. Më erdhi në lokal me 20 veta për t’u sqaruar. Ofendon stafin dhe mua. Nisi përleshja fizike, atë natë shpërthen dinamiti. Del live në TikTok ai dhe thotë pati bubullima nga Durrësi. E ka pranuar vetë”, deklaroi Noizy.

I pyetur nga prokurori nëse e njihte Laert Haxhiun, këngëtari u përgjigj se nuk kishte pasur njohje me të përpara ngjarjes.

“Nuk e njoh, vetëm pas rastit. Nuk e di kush ishte personi që e vuri lëndën plasëse. E tregoi vetë Klevioli në TikTok”, tha ai.

Gjatë pyetjeve nga gjykata, Noizy këmbënguli se informacionet për Kleviol Ahmetin i kishte marrë nga deklaratat e këtij të fundit në rrjetet sociale, brenda 24 orëve nga ngjarja. Ai tha se konfliktet mes tyre kishin nisur që në vitin 2019 dhe se, sipas tij, ato lidheshin me ofendimet e vazhdueshme ndaj familjes së tij.

Në fund, gjatë pyetjeve të avokatit, i cili e pyeti nëse mendonte se personat që e shanin fitonin famë prej tij, Noizy u përgjigj: “Nuk e mendoj, merr shumë faj”.

Në përfundim të dëshmisë, këngëtari iu drejtua gjykatës me pyetjen: “A është nevoja të vij më të dëshmoj?”

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Dëmtimi i pallatit në Elbasan nga shpërthimi, Demo nga vendngjarja: Po shqyrtojmë alternativat për zgjidhjen e situatës

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka zhvilluar një vizitë në pallatin 5-katësh në Elbasan, ku shpërthimi tragjik i bombolës së gazit i mori jetën dy...
13:48 | 10/11/2026

Debate në Komision, Bozdo: A mjaftojnë fondet? Spahiu: Asnjë qeveri s’e përballon dot rimbursimin mbi 15 mln lekë për flakon

Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu këtë të martë ka raportuar në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat rreth projektbuxhetit të viti 2027. Gjatë diskutimit janë...
13:34 | 10/11/2026

SPAK kërkon psikolog për hetuesit e BKH-së, 15 milionë lekë për kasaforta dhe grirëse letrash

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar për vitin 2027 një psikolog institucional për të mbështetur hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët, sipas institucionit, përballen...
13:27 | 10/11/2026