Natasha Rombula, e njohur si Tasha e Tik-Tok-ut, prej ditës së djeshme, ka kërcënuar se do ti japë fund jetës, për shkak se kanë tentuar që ta nxjerrin nga banesa që ka marrë me qera në qytetin e Sarandës.
Tasha pretendon se OSHEE po përdoret për ta nxjerrë nga banesa, duke i ndërprerë energjinë elektrike, ndërsa thotë se i ka paguar të gjitha faturat, përfshirë atë të muajit shtator.
Siç shihet në videot e publikuara nga Sarandaweb, ajo ka humbur ndjenjat, teksa policia po përpiqej që ta shoqëronte.
Punonjësit e policisë pretendonin se ishin të pranishëm në aksion, me kërkesë të OSHEE-së. Punonjësit e OSHEE shprehen se kanë shkuar për ndërprerjen e kontratës së energjisë elektrike, me kërkesë të pronarit të banesës.
E pranishme në këtë debat, ka qenë dhe deputetja Ina Zhupa, e cila ka kërkuar llogari mbi bazën ligjore, dhe dokumentet me të cilat bazohen punonjësit e OSHEE dhe Policisë për ndërprerjen e energjisë elektrike.
“Unë vij me urdhër pune këtu, urdhrin nuk kam pse ta jap ty”, u shpreh punonjësi i OSHEE gjatë debatit me deputeten Zhupa.
Mbrëmjen e djeshme, Tasha kishte kërcënuar se do ti jepte fund jetës së saj, ndërsa sot është shfaqur në gjendje të ngarkuar emocionale.
Pas thirrjes dhe ndërhyrjes së banorëve të tjerë të zonës, punonjësit e urgjencës i kanë dhënë asaj ndihmën e parë.













