Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ka konstatuar shkelje të Konventës Europiane në çështjen e Fredi Belerit, duke vlerësuar se vijimi i paraburgimit të tij nuk ishte mbështetur në arsye të mjaftueshme, të paktën nga 19 korriku 2023 e në vijim, kohë kur hetimet ndaj tij përfunduan dhe dosja u dërgua për gjykim.

Fredi Beleri, i cili kandidonte për kryetar të Bashkisë së Himarës, u arrestua më 12 maj 2023, nën dyshimet për shitblerje votash.

Në vendimin e saj, Gjykata e Strasburgut vlerësoi se vendosja fillestare e Belerit në paraburgim ishte e justifikuar, por theksoi se, me kalimin e kohës, autoritetet shqiptare duhej të rivlerësonin nëse kjo masë sigurie ishte ende e nevojshme.

Sipas Gjykatës, autoritetet duhej të rishqyrtonin në mënyrë të plotë nëse vazhdonin të ekzistonin arsyet për mbajtjen e tij në paraburgim dhe nëse mund të zbatoheshin masa më të buta sigurie.

Strasburgu vëren se gjykatat shqiptare nuk morën sa duhet në konsideratë përfundimin e hetimeve dhe faktin se aktakuza ishte ngritur. Gjithashtu, sipas vendimit, ato nuk identifikuan prova konkrete që mund të rrezikoheshin nga ndërhyrja e Belerit.

Në përfundim, Gjykata vendosi që Shqipëria t’i paguajë Fredi Belerit 450 euro për dëmin jopasuror dhe 5 mijë euro për shpenzimet gjyqësore, në total 5,450 euro, plus taksat e mundshme.

Nga ana tjetër, Gjykata rrëzoi kërkesën e tij për kompensimin e të ardhurave të humbura gjatë periudhës kur nuk mundi të ushtronte detyrën e kryetarit të Bashkisë së Himarës.

Fredi Beleri u zgjodh kryetar i Bashkisë së Himarës në zgjedhjet vendore të vitit 2023, ndonëse ndodhej në paraburgim. Ai nuk arriti të merrte detyrën, pasi autoritetet nuk i dhanë leje për të kryer betimin.

Beleri u dënua me dy vite burg për korrupsion aktiv në zgjedhje. Ndërkohë, çështja e tij ndodhet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb