Babai i reperit të njohur Noizy, Bashkim Rajku, ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) lidhur me shpërthimin me tritol në lokalin e familjes së tij në Durrës, në qershor të vitit 2022.
Ai ka zbuluar se vetëm një ditë përpara ngjarjes, disa persona kishin mbërritur me pesë ose gjashtë automjete dhe kishin provokuar djalin e tij, duke shkaktuar një konflikt.
Dëshmia u dha gjatë seancës gjyqësore ndaj Laert Haxhiut, ku ishin thirrur për të dëshmuar edhe këngëtari Rigels Rajku, i njohur si Noizy, dhe babai i tij.
Laert Haxhiu nuk ishte i pranishëm në seancë dhe u përfaqësua nga avokati mbrojtës, Detar Hysi.
Gjatë pyetjeve të prokurorit Behar Dibra, Bashkim Rajku tregoi se natën e shpërthimit kishin dëgjuar një zhurmë të fuqishme dhe më pas kishin konstatuar se xhamat e lokalit, që ndodhej në të njëjtin pallat ku banonte familja, ishin thyer.
I pyetur nëse kishte dyshime për autorët apo motivin e sulmit, ai përmendi konfliktet e mëparshme të djalit, por theksoi se nuk kishte prova konkrete për të lidhur ndonjë person me shpërthimin.
“Djali im është artist, mund të ketë pasur ndonjë fërkim apo hatërmbetje. Nuk kishim dyshime në momentin e parë. Ju e dini historinë, ka pasur fërkime me atë të Lushnjës. Nuk kam fakte ta them konkretisht. Punë artistësh”, u shpreh ai.
Më tej, Rajku rrëfeu se një ditë përpara vendosjes së eksplozivit kishte ndodhur një incident në ambientet e lokalit, ku disa persona kishin provokuar Noizy-n.
“Një ditë para erdhën 5-6 makina dhe e kanë provokuar çunin tim, kanë bërë sherr te lokali dhe ndodhi kjo që ndodhi. Klevioli na ka dalë nga hiçi. Nuk kemi pasur asnjë njohje”, deklaroi Bashkim Rajku.
Sa i përket pasojave materiale, babai i këngëtarit deklaroi se shpërthimi kishte shkaktuar dëme që arrinin në rreth 30 mijë euro.
Dëshmia e tij u administrua në kuadër të procesit gjyqësor ndaj Laert Haxhiut, ndërsa Rajku nuk identifikoi me prova konkrete autorët e sulmit me eksploziv.












