Sekretari i Mbrojtjes drejt shkarkimit në SHBA? Republikanët kërkojnë largimin e Pete Hegseth

Presioni ndaj Hegseth është shtuar ndjeshëm pas rezultateve të zgjedhjeve të mesmandatit, ku demokratët fituan kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit. Sipas Reuters, pakënaqësia e votuesve për luftën me Iranin ishte një nga faktorët që ndikoi në humbjen e republikanëve, ndërsa zëvendëspresidenti JD Vance ka vënë në pikëpyetje vetë arsyetimin e këtij konflikti.
Sipas burimeve të cituara nga CBS Neës, Donald Trump ka zhvilluar biseda me këshilltarët e tij, duke pyetur nëse Hegseth duhet të vazhdojë në detyrë. Mes emrave që janë përmendur si kandidatë të mundshëm për ta zëvendësuar është edhe guvernatori i Floridës, Ron DeSantis.
Por një ditë pas zgjedhjeve, Trump doli publikisht në mbrojtje të sekretarit të tij të Mbrojtjes.
Ndërkohë, Hegseth përballet edhe me një tjetër front, këtë herë në Kongres. Kongresmeni republikan Thomas Massie ka paraqitur një rezolutë për shkarkimin e tij përmes procedurës së fajësimit, duke e akuzuar për shpërdorim të pushtetit dhe për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në luftën me Iranin pa miratimin e Kongresit.
Sipas Reuters, një votim në Dhomën e Përfaqësuesve pritet të zhvillohet gjatë kësaj jave. Megjithatë, edhe nëse rezoluta miratohet, largimi përfundimtar i Hegseth nga detyra nuk është automatik. Për këtë do të nevojitej një vendim fajësues nga Senati, me shumicë prej dy të tretash.
Kritikat ndaj drejtimit të Pentagonit nuk kufizohen vetëm te lufta në Iran. Demokratët kanë paralajmëruar hetime për shkarkimin e drejtuesve të lartë ushtarakë, politikat ndaj Ukrainës dhe operacionet ushtarake amerikane në ujërat e Amerikës Latine.
Vetë Hegseth ka refuzuar të tërhiqet përballë presionit, duke deklaruar se nuk do të dorëzohet dhe se do të qëndrojë në detyrë. Ndërsa Shtëpia e Bardhë këmbëngul se Trump ka besim të plotë tek ai, e ardhmja e sekretarit të Mbrojtjes mbetet një çështje e hapur, në një kohë kur administrata amerikane po përballet me përçarje të brendshme dhe një betejë të ashpër politike për drejtimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë.




