Liburn Aliu është dorëhequr nga posti i drejtorit të Autoritetit Portual Durrës dhe në vend të tij është komanduar Andrea Shllaku, i cili më herët ka qenë zv.drejtor si dhe zv.ministër i Mbrojtjes.
Raportohet se Andrea Shllaku është i afërm i ministrit Pirro Vengu, i cili ka mbajtur po ashtu për rreth 5 vite postin e drejtorit të Autoritetit Portual Durrës.
Kryedemokrati Sali Berisha, në një reagim në rrjete sociale, shkruan krahas disa dokumentave se Andrea Shllaku është emëruar me urdhër të Troplinëve edhe pse më parë është gjetur me shkelje të rënda.
Berisha thekson se Porti i Durrësit mbetet porti i lirë dhe më kryesor i drogës së narko-shtetit të parë dhe të vetëm në Europë.
“Drejtori i ri i Portit të Durrësit Andrea Shllaku emërohet nga Troplinët!
Nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në Portin e Durrësit ai së bashku me Pirro Vengun janë gjetur me shkelje të rënda dhe të dy janë propozuar për shkarkim nga detyra. Por ai nga ish-drejtor divizioni në port me kërkesën e kartelit Troplini emërohet drejtor i përgjithshëm!
Porti i Durrësit mbetet porti i lirë dhe më kryesor i drogës së narko-shtetit të parë dhe të vetëm në Europë.”– shkruan Berisha krahas dokumentave të mëposhtëm.













