Një ngjarje e pazakontë është regjistruar mbrëmjen e 9 nëntorit në fshatin Dukat të Vlorës. Një person ka hyrë në ambientet e një lokali, duke mbajtur në dorë një hanxhar, me të cilin ka kërcënuar disa persona që ndodheshin aty.

“Hajde çikë jashtë! Hajde çikë jashtë! Je gangster ti!”, bërtet ai duke iu drejtuar një djali që ndodhej te banaku, tregon videoja e siguruar nga Report Tv. Dy klientë të ulur në një prej tavolinave të lokalit, dalin me shpejtësi.

Personi me hanxhar në dorë e shtyn djalin, ndërsa në mes hyn një burrë. Djali që kërcënohet bërtet dhe fshihet.

“Nuk shkon kështu!”, dëgjohet një i tretë me shkop në dorë, që hyn pas dy të tjerëve dhe përpiqet ta frenojë djalin me hanxhar.

Burime nga policia bëjnë me dije se ngjarja dyshohet të ketë ardhur pas konflikteve të mëparshme. Disa persona dyshonin se ky person ishte autor i vjedhjeve të ndodhura së fundmi në zonën e Dukatit. Sipas të njëjtave burime, personi në fjalë dyshohet se ishte dhunuar disa ditë më parë, së bashku me të atin.

Pas këtij episodi, ai është paraqitur në ambientet e lokalit me hanxhar në dorë, duke kërcënuar personat e pranishëm.

Në Dukat janë raportuar kohët e fundit disa raste vjedhjesh.