Nick Cave nuk e di nëse IA-ja do ta “shpëtojë botën” apo do ta “asgjësojë atë”
Nga: Lauren Hunter / Far Out Magazine
Përkthimi: Telegrafi.com
Nick Cave ka ndarë mendimet e tij për gjendjen e tanishme të botës artistike me përdorimin e IA-së [inteligjencës artificiale], duke thënë se nuk është i sigurt nëse teknologjia do ta “shpëtojë botën” apo do ta “asgjësojë atë.”
Muzikanti ka folur edhe më parë për mosbesimin e tij të përgjithshëm ndaj kësaj teknologjie, veçanërisht në fushën e muzikës, por u shpreh më gjerësisht për këtë çështje në shkrimin më të fundit në buletinin e tij The Red Hand Files.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një adhuruesi nga Bristoli nëse është “fatalist apo optimist” [doomer apo boomer] në lidhje me IA-në, përgjigjja e Caveit tregoi se deri në çfarë mase ai nuk është i bindur për vlerat e saj.
Lexo po ashtu:
- Nick Cave për tekstin “në stilin e tij” të shkruar nga ChatGPT: Tallje groteske me atë që do të thotë të jesh njeri
- Jam agnostik i devotshëm, por njësoj si Nick Cave dua ta di kuptimin e botës sonë kaotike
- Nick Cave rrëfen rikthimin në jetë normale, pas humbjes së djalit: Kuptimi ndryshon gjatë viteve
“Inteligjenca artificiale,” tha ai, “mund ta shpëtojë botën, ta asgjësojë atë ose të bëjë diçka ndërmjet këtyre të dyjave. Nuk e di.”
Pavarësisht këtij qëndrimi disi të papërcaktuar për këtë çështje, këngëtari u shpreh më gjerësisht kur ra puna te pikëpamja e tij për rolin gjithnjë e më të madh të IA-së në muzikën e re.
“Platformat për gjenerimin e këngëve janë, sipas meje, tregues të potencialit djallëzor të kësaj teknologjie, që në fillesat e saj, për ta zbrazur nga brenda përpjekjen njerëzore dhe për ta këputur lidhjen tonë me hyjnoren,” vazhdoi Cave.
“Ato e përqeshin vetë krijimin duke e bërë njerëzimin të panevojshëm, duke marrë frytet e përpjekjes njerëzore dhe duke i reduktuar ato në thjesht produkte. Ky është, ndoshta, poshtërimi ynë i fundit dhe më shkatërrues për shpirtin,” shpjegoi ai, duke e bërë të qartë se këngët e gjeneruara nga IA-ja nuk janë diçka që ai pëlqen.
Megjithatë, ky argument lidhej me një argument të mëparshëm që ai kishte bërë në postimin e tij më të fundit, i nxitur nga një pyetje tjetër e një adhuruesi rreth ndarjes së artit nga artisti.
Cave tha se, ndonëse më parë besonte se kjo nuk mund të bëhej, platformat e gjenerimit të këngëve e kanë bërë të mendojë ndryshe, duke theksuar: “Më në fund, artisti mund të ndahet nga arti. Jo vetëm kaq, artisti - ai problem me të meta, i rrëmujshëm, i thyer, i mjerë, i gëzueshëm - mund të hiqet krejtësisht nga ekuacioni, diçka si një mbetje.”
Duke i përmbyllur të dyja pikat, ai shtoi: “Për ata që mezi presin ta çlirojnë botën nga artistët problematikë - sepse këto forca censuruese vazhdojnë të jenë këmbëngulëse - kjo është me siguri arsye për festë, pasi këto platforma premtojnë ta çlirojnë botën krejtësisht nga artistët.”
Koha kur Cave po e zhvillon këtë diskutim për IA-në duket veçanërisht domethënëse, pasi kohët e fundit doli se muzika e tij dhe e ish-bashkëpunëtores së tij Kylie Minogue po përdorej për të trajnuar modele të IA-së pa lejen e tyre.
Në vitin 2024, artisti shprehu mosmiratimin e tij ndaj përdorimit të IA-së për qëllime muzikore duke thënë: “E gjithë kjo më duket jashtëzakonisht shqetësuese. Nuk jam i shqetësuar për punën time apo diçka të tillë, se mos zëvendësohem apo diçka e tillë. Thjesht për atë që kjo thotë për ne si qenie njerëzore.”
Cave ka krijuar një rreth ndjekësish të përkushtuar rreth reflektimeve të tij në The Red Hand Files, gjë të cilën duket qartë se dëshiron ta shfrytëzojë pas njoftimit të turneut me 25 data - Conversations with Nick Cave - që do të zhvillohet në të gjithë Amerikën e Veriut vitin e ardhshëm. /Telegrafi/





























