Robert Duka, i arrestuar si i dyshuar për grabitjen e dy bankave në Tiranë, ka qenë më herët në vëmendjen e autoriteteve greke për përfshirjen e dyshuar në një seri grabitjesh të armatosura në Greqi. Në vitin 2010, ai u arrestua së bashku me tre shtetas të tjerë shqiptarë, të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal që vepronte në rajonin e Atikës.
Sipas hetimeve të autoriteteve greke, grupi dyshohej se kishte kryer 28 grabitje të armatosura në supermarkete gjatë periudhës 2007-2010, duke përfituar një shumë që kalonte 1.2 milionë euro.
Pas arrestimit, Duka u dërgua në burg, por në vitin 2016 arriti të arratisej nga burgu i Tirinthës, së bashku me disa të burgosur të tjerë. Ai qëndroi në kërkim për rreth dy vite, deri në vitin 2018, kur u lokalizua dhe u arrestua sërish nga autoritetet greke në zonën pranë pikës kufitare të Kapshticës.
Në vitin 2019, ai përfitoi lirimin me kusht.
Ndërkohë, pas arrestimit të fundit në Shqipëri, Robert Duka pritet të jetë në fokus edhe të një hetimi pasuror nga Policia e Tiranës. Hetuesit synojnë të verifikojnë burimin e pasurisë së tij, si dhe asetet që mund të rezultojnë të regjistruara në emrin e tij.
Hetimi pasuror pritet të shërbejë për të verifikuar nëse pasuritë e zotëruara nga Duka kanë burime të ligjshme apo lidhen me aktivitetin kriminal për të cilin ai është hetuar dhe akuzuar ndër vite.a.b





