Një ish-murg budist është kthyer në një nga figurat kryesore të një shërbimi të ri në Nju Jork, që ndihmon pacientët me sëmundje terminale të përfundojnë jetën me asistencë mjekësore. David Atkins, 56 vjeç, është bashkëthemelues i kompanisë Quietus, e cila që prej hyrjes në fuqi të ligjit në gusht ka ndihmuar 17 persona të sëmurë rëndë të zgjedhin momentin e fundit të jetës së tyre.

Atkins, i cili më parë ka punuar si punonjës social në kujdesin paliativ, është pika e parë e kontaktit për personat që kërkojnë këtë shërbim. Ai dëgjon historitë e tyre, diskuton pritshmëritë dhe i orienton përmes procedurave mjekësore dhe ligjore. Kompania ka një ekip prej dhjetë profesionistësh, mes tyre mjekë, infermierë dhe psikologë.

Sipas Atkins, shumica e personave që kontaktojnë shërbimin ndodhen në një fazë shumë të vështirë të jetës dhe kërkojnë të shmangin vuajtjet e mëtejshme. Ai thotë se përvoja shumëvjeçare në kujdesin paliativ e ka bindur se pacientët me sëmundje të pashërueshme duhet të kenë më shumë autonomi mbi mënyrën se si përballen me fundin e jetës.

Ligji për asistencën mjekësore në përfundimin e jetës, i miratuar në Nju Jork dhe i hyrë në fuqi në gusht, lejon që personat me sëmundje terminale të kërkojnë medikamente për t’i dhënë fund jetës. Për të përfituar, pacientët duhet të jenë banorë të shtetit dhe të kenë një jetëgjatësi të parashikuar prej gjashtë muajsh ose më pak.

Procesi përfshin dy vlerësime mjekësore dhe një kontroll të shëndetit mendor, përpara se të merret vendimi për përshkrimin e medikamenteve. Në përgjithësi, ligji parashikon edhe një periudhë pritjeje prej pesë ditësh nga marrja e recetës deri në përdorimin e saj, përveç rasteve kur mjeku vendos për përjashtim.

Një dallim i rëndësishëm nga eutanazia është se në këtë rast medikamentet merren nga vetë pacienti dhe nuk administrohen drejtpërdrejt nga mjeku apo infermieri.

Shërbimi Quietus nuk funksionon si një klinikë tradicionale. Shumica e pacientëve preferojnë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, pranë familjarëve, ndaj ekipi i ndihmon edhe në organizimin e procedurave në ambientet ku ata jetojnë.

Kostoja arrin në 12 mijë dollarë

Shërbimi ka një kosto të konsiderueshme. Sipas Atkins, medikamentet kushtojnë rreth 1 mijë dollarë, ndërsa shërbimet e kompanisë vlerësohen në rreth 11 mijë dollarë. Për shkak të kufizimeve federale, sigurimet shëndetësore nuk mbulojnë këtë procedurë.

Megjithatë, Atkins thotë se kompania zbaton një sistem fleksibël pagesash dhe në raste të caktuara u kërkon pacientëve vetëm shumën që kanë mundësi të përballojnë. Sipas tij, disa persona kanë paguar vetëm 50 dollarë, ndërsa të tjerë nga 3 mijë deri në 5 mijë dollarë.

Nga manastiri budist te kujdesi për pacientët terminalë

Rruga e Atkins drejt kësaj pune nisi shumë vite më parë. Ai u interesua për çështjet e jetës dhe vdekjes që në adoleshencë, pasi babai i tij u diagnostikua me një formë të rrallë limfome. Në moshën 19-vjeçare nisi të ndiqte praktikat e meditimit budist dhe më vonë u zhvendos në Korenë e Jugut, ku u bë murg. Ai qëndroi në një tempull deri në vitin 2008, kur u kthye në SHBA.

Më pas u orientua drejt punës sociale dhe kujdesit për pacientët në fazat e fundit të jetës. Gjatë punës me persona që vuanin nga sëmundje të rënda neurologjike, veçanërisht skleroza laterale amiotrofike (ALS), ai pa nga afër vuajtjet e pacientëve që humbnin gradualisht aftësinë për të lëvizur, ndërsa ruanin vetëdijen.

Në vitin 2019, gjatë punës në një qendër katolike të kujdesit paliativ, Atkins u njoh me infermierin Daniel Cogan. Të dy nisën të diskutonin mundësinë e krijimit të një shërbimi të specializuar nëse Nju Jorku do të legalizonte asistencën mjekësore për përfundimin e jetës. Ata lanë punën në qendrën paliative në korrik dhe nisën aktivitetin e Quietus në gusht.

Legalizimi i kësaj praktike në Nju Jork është shoqëruar me kundërshtime të forta nga organizatat fetare, aktivistët për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe një pjesë e profesionistëve të shëndetësisë. Kritikët ngrenë shqetësime për rrezikun që pacientët e cenueshëm të ndihen nën presion për të zgjedhur vdekjen, ndërsa mbështetësit e shohin si një çështje autonomie dhe dinjiteti në fazën përfundimtare të jetës.

Për Atkins, përvoja e familjeve që kanë humbur të afërmit përmes këtij procesi ka qenë një nga aspektet më domethënëse të punës së tij. Ai thotë se disa familjarë i kanë treguar se mundësia për të ditur paraprakisht kohën e vdekjes i ka ndihmuar të përgatiten emocionalisht dhe të kalojnë më shumë kohë me të dashurit e tyre.

Historia e tij dhe aktiviteti i Quietus janë sjellë në vëmendje nga gazeta britanike The Times, në një kohë kur debati mbi asistencën mjekësore në përfundimin e jetës vijon të jetë një nga çështjet më të diskutueshme në SHBA dhe në vende të tjera.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb