Nisin negociatat Rusi-Ukrainë në Abu Dhabi, SHBA sheh sinjale kompromisi për çështjen e territoreve
Rusia dhe Ukraina kanë shfaqur në biseda private njëfarë gatishmërie për kompromis lidhur me çështjen e territoreve, pavarësisht qëndrimeve të ashpra që mbajnë publikisht. Kështu raporton Reuters, duke cituar një zyrtar amerikan, ndërsa në Abu Dhabi kanë nisur bisedimet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës.
Çështja territoriale pritet të jetë një nga temat më të vështira të negociatave. Kievi ka deklaruar vazhdimisht se nuk do të dorëzojë territoret që ka mbrojtur, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin kërkon kontrollin e plotë të Donbasit. Sipas zyrtarit amerikan, një kompromis i mundshëm territorial mund të diskutohet në fazat e fundit të procesit, pasi të ketë përparim për çështjet e tjera.
Në qendër të diskutimeve janë edhe garancitë e sigurisë për Ukrainën pas përfundimit të luftës. Mes alternativave të shqyrtuara është një mekanizëm mbrojtjeje i ngjashëm me Nenin 5 të NATO-s, që parashikon mbrojtje kolektive në rast sulmi ndaj një vendi anëtar. Delegacioni amerikan pritet të drejtohet nga Steve Witkoff dhe Jared Kushner, ndërsa bisedimet janë planifikuar të zgjasin dy ditë.
Nga ana tjetër, Kievi nuk pret një përparim të menjëhershëm në raundin e parë të negociatave. Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se sukseset e fundit të forcave ukrainase në front dhe humbjet në rritje të ushtrisë ruse kanë forcuar pozitat negociuese të Ukrainës. Ai theksoi se çdo marrëveshje paqeje duhet të shoqërohet me garanci konkrete sigurie, për të parandaluar një sulm të ri rus në të ardhmen.
Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh optimist për ecurinë e bisedimeve, duke deklaruar se të dyja palët janë lodhur nga lufta dhe humbjet njerëzore. Ai përsëriti gjithashtu pretendimin se rreth 25 mijë persona humbin jetën çdo muaj nga të dyja palët, shifër që nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur. Negociatat në Abu Dhabi konsiderohen një përpjekje e re diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit që po i afrohet pesë viteve.
/vizionplus.tv




