VIDEO/ E pazakontë, 47-vjeçari shkatërron me ekskavator godinën qeveritare
Një incident i pazakontë është regjistruar në provincën Shaanxi të Kinës, ku një 47-vjeçar ka shkuar me ekskavator në një institucion qeveritar, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në godinë.
Ngjarja ndodhi më 9 nëntor, në Qendrën e Shërbimeve Qeveritare të Fengdong New City, në zonën e re Xixian, në qytetin Xi’an.
Sipas raportimeve, autori përdori ekskavatorin për të shkatërruar hyrjen kryesore dhe për të dëmtuar disa pjesë të kompleksit administrativ. Sulmi zgjati për afro një orë.
Pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë momentet kur mjeti i rëndë përplas hyrjen e godinës dhe shkatërron pjesë të fasadës së saj.
Policia ka arrestuar 47-vjeçarin, ndërsa deri më tani nuk është bërë i ditur motivi i veprimit të tij.
Fatmirësisht, nga incidenti nuk raportohet për persona të lënduar. Sipas dëshmisë së një punonjësi për mediat kineze, sapo u konstatua rreziku, u aktivizuan procedurat e evakuimit, duke bërë të mundur largimin e sigurt të stafit dhe qytetarëve që ndodheshin brenda godinës.
Autoritetet kineze vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat dhe motivet e ngjarjes.




