Kurti kërkon mbështetjen e Francës për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO

10 Nëntor 2026 | 09:58

Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar mbështetjen e Francës për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Gjatë një takimi në Paris me presidentin e Senatit francez, Gerard Larcher, Kurti ka theksuar rëndësinë e rolit të Francës në proceset integruese të Kosovës dhe në forcimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në takim është diskutuar për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh, zhvillimet politike dhe projektet infrastrukturore.

“Biseduam për stabilitetin e plotë institucional e politik pas zgjedhjes së presidentes, planet e Qeverisë në këtë mandat të ri, të përqendruara në infrastrukturën hekurudhore e atë sportive, ndërtimin e digave dhe industrinë e mbrojtjes, por edhe mundësitë konkrete të zgjerimit të bashkëpunimit dhe thellimit të mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe”, ka deklaruar Kurti.

Në takim është diskutuar edhe për reformat në drejtësi, arsim dhe administratë publike, si dhe për zhvillimin ekonomik dhe përparimin demokratik të Kosovës.

Kryeministri ka theksuar se Kosova është plotësisht e harmonizuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, duke vlerësuar se marrja e statusit të vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim do të përshpejtonin zhvillimin e vendit.

“Republika e Kosovës është tërësisht e linjëzuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, andaj statusi i vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim, përveçqë vendime të drejta, do të ishin shtysë për përparim të gjithmbarshëm”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se mbështetja e Francës është e rëndësishme edhe për aspiratën e Kosovës për anëtarësim në NATO, proces që, sipas tij, do të kontribuonte në paqen e qëndrueshme dhe sigurinë afatgjatë të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës.

Gjatë takimit, Kurti ka shprehur mirënjohje për rolin e Francës në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj zhvillimit të saj.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Nisin bisedimet trepalëshe midis Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së në Abu Dhabi

Bisedimet trepalëshe midis Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së për t’i dhënë fund luftës filluan të martën në Abu Dhabi. Këto janë bisedimet e para të drejtpërdrejta...
09:47 | 10/11/2026

Kryeministri i Katarit bën një ndalesë të paplanifikuar në Paris për takimin e G7

Kryeministri i Katarit do të takohet me fuqitë evropiane dhe Arabinë Saudite të martën në një ndalesë të paplanifikuar në takimin e ministrave të jashtëm...
09:39 | 10/11/2026

Meta zgjeron në nivel global teknologjinë e AI për vlerësimin e moshës në Instagram

Meta ka njoftuar se po zgjeron teknologjinë e saj të vlerësimit të moshës përmes inteligjencës artificiale në nivel global. Kjo do të bëjë që masat...
09:36 | 10/11/2026