Një çështje që përfshin drejtuesin e gjigantit amerikan të teknologjisë Nvidia, Jensen Huang, po merr përmasa të reja, pasi aksionarët e kompanisë kanë ngritur një padi në gjykatë, duke e akuzuar atë dhe kompaninë për mashtrim të investitorëve.

Padia vjen pas raportimeve për një marrëdhënie jashtëmartesore të Huang me Alice Huang, ish-ekzekutive e kompanisë Megaspeed, e cila dyshohet se ka pasur lidhje me shërbimet kineze të inteligjencës. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar se FBI po shqyrton çështjen. Sipas gazetës The Guardian, padia është depozituar në një gjykatë federale në San Jose të Kalifornisë dhe përfshin si kompaninë Nvidia, ashtu edhe drejtuesin e saj.

Aksionarët pretendojnë se Huang dhe kompania nuk kanë informuar investitorët për rreziqet e mundshme që mund të sillte kjo marrëdhënie, veçanërisht në aspektin e sigurisë kombëtare, reputacionit dhe interesave tregtare të kompanisë. Sipas paditësve, mungesa e transparencës i ka privuar investitorët nga informacione që mund të ndikonin në vendimet e tyre financiare.

Marrëdhënia që vuri në lëvizje dyshimet për spiunazh
Çështja mori vëmendje pas një raportimi të The New York Times, sipas të cilit autoritetet amerikane kishin arritur në përfundimin se Alice Huang dyshohej se bashkëpunonte me shërbimet kineze të inteligjencës. Jensen Huang ka pranuar para punonjësve të Nvidia-s se kishte pasur një marrëdhënie jashtëmartesore, por nuk ka dhënë hollësi të mëtejshme rreth saj apo pretendimeve për lidhje të gruas me inteligjencën kineze.

Ndërkohë, Nvidia ka bërë të ditur se do të nisë një hetim të pavarur për të shqyrtuar pretendimet se drejtuesi i saj mund të ketë qenë objektiv i një operacioni të inteligjencës së huaj. Kompania nuk ka dhënë ende një përgjigje të drejtpërdrejtë lidhur me padinë e aksionarëve.

Trump: FBI po heton, por Huang do të jetë mirë
Në zhvillimet e fundit ka ndërhyrë edhe presidenti amerikan Donald Trump, i cili konfirmoi se FBI po shqyrton një aspekt të çështjes që lidhet me marrëdhënien e drejtuesit të Nvidia-s. Megjithatë, Trump u shpreh optimist për situatën e Huang, duke deklaruar gjatë një komunikimi në Shtëpinë e Bardhë se besonte që ai do të dilte mirë nga kjo histori.

Presidenti amerikan zbuloi gjithashtu se kishte komunikuar personalisht me drejtuesin e Nvidia-s për të mësuar se si po e përballonte situatën. Sipas Trump, Huang i kishte thënë se nuk kishte pasur dijeni për ndonjë lidhje të mundshme të gruas me shërbimet kineze të inteligjencës. Pavarësisht deklaratave të presidentit, çështja mbetet nën shqyrtim, ndërsa padia e aksionarëve hap një front të ri ligjor për një nga kompanitë më të rëndësishme të teknologjisë në botë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: