Blerja e një banese është shndërruar në një sfidë gjithnjë e më të pamundur për qytetarët dhe familjet shqiptare, pasi çmimet e apartamenteve janë rritur me ritme shumë herë më të shpejta se të ardhurat, duke shënuar nivele rekord krahasuar me vendet e Bashkimit Europian.
Sipas përllogaritjeve të bazuara te metodologjia e Eurostat, raporti midis çmimeve të banesave dhe të ardhurave të disponueshme për frymë në Shqipëri është rritur me 76.3% gjatë periudhës 2015–2025.
Nëse dhjetë vjet më parë vlera e një apartamenti i përgjigjej afërsisht të ardhurave të 10 viteve, sot një qytetar duhet të shpenzojë të gjitha të ardhurat e rreth 17.6 viteve për të blerë të njëjtën pronë.
Indeksi i çmimeve të banesave nga Banka e Shqipërisë tregon se çmimet janë më shumë se trefishuar (rritje prej 214.4%), ndërsa të ardhurat e disponueshme bruto për frymë (sipas INSTAT) janë rritur me rreth 78.4% (nga 429 mijë lekë në vitin 2015 në 765 mijë lekë në vitin 2025).
Shpërthimi i çmimeve në Tiranë
Në kryeqytet, situata paraqitet edhe më e rënduar. Çmimi mesatar i shitjes së apartamenteve në Tiranë ka pësuar rritje drastike:
Në vitin 2015: rreth 860 euro/m²
Në vitin 2020: rreth 1,038 euro/m²
Në vitin 2025: rreth 1,950 deri në 2,100 euro/m², ndërsa në tremujorin e parë ka arritur në 2,140 euro/m².
Për një apartament prej 100 metrash katrorë, vlera mesatare është rritur nga rreth 86 mijë euro në vitin 2015 në afro 195 mijë euro në vitin 2025, duke e bërë blerjen përmes kursimeve nga puna e ndershme praktikisht të pamundur pa marrë kredi të larta.
Krahasimi me Bashkimin Europian
Edhe pse rritja e raportit mes çmimeve dhe të ardhurave ka prekur edhe vendet e BE-së (ku mesatarja u rrit me 6.8% gjatë së njëjtës periudhë), Shqipëria shënon shifrat më të larta në rajon dhe më gjerë. Vendi ynë lë pas edhe Portugalinë, e cila mbante rekordin në BE me një rritje prej 60.8% të këtij raporti (të ndikuar nga turizmi), e ndjekur nga Holanda (34.3%), Hungaria (26.5%) dhe Spanja (24.5%). Ekspertët theksojnë se ky tregues mat ndryshimin e përballueshmërisë në kohë, duke mos përfshirë kostot shtesë të kredive apo interesave bankare.










