Një bateri biçiklete elektrike ka shkaktuar një zjarr të fuqishëm që shkrumboi plotësisht një banesë në Oregon të Shteteve të Bashkuara. Shtëpia i përkiste aktores dhe prezantueses Kari Ann Peniche, e njohur për pjesëmarrjen në emisionin “Celebrity Rehab”, e cila arriti të filmonte edhe momentin kur bateria shpërtheu.

Ngjarja ndodhi të enjten në mbrëmje, kur djali i aktores vuri re një erë të pazakontë në dhomën e ndenjes. Pasi kontrolloi ambientin, ai kuptoi se era vinte nga bateria e biçikletës së tij elektrike, e cila ndodhej pranë derës dhe nuk ishte e lidhur me energjinë elektrike, por kishte nisur të lëshonte tym.

Kari Ann filloi të filmonte me celular tymin që dilte nga bateria, por situata u përshkallëzua brenda pak çastesh. Bateria shpërtheu papritur dhe flakët u përhapën me shpejtësi, duke përfshirë të gjithë banesën.

Sipas deklaratave të aktores për mediat amerikane, përfshirë TMZ, shtëpia me pesë dhoma gjumi u shkatërrua plotësisht. Megjithatë, fatmirësisht, të gjithë banorët arritën të largoheshin në kohë.

Nga zjarri shpëtuan pa lëndime anëtarët e familjes, çifti i mirëmbajtësve që jetonte në banesë, si dhe tre qentë dhe macja e tyre.

Pavarësisht se nuk pati viktima apo të lënduar, dëmet materiale janë të mëdha. Aktorja tregoi se ka humbur gjithçka, përfshirë veprat e artit, pikturat, revistat ku ishte shfaqur, si dhe fustanet e kujtimet nga periudha kur merrte pjesë në konkurse bukurie.

Ajo e cilësoi humbjen si shkatërruese, por theksoi se gjëja më e rëndësishme është që të gjithë familjarët dhe kafshët shtëpiake janë gjallë. Aktualisht, familja është strehuar te të afërmit, ndërsa përpiqet të përballet me pasojat e zjarrit që u mori gjithçka brenda pak minutash.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb