Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot, e marte, mbahet seanca në mungesë ndaj Adnon Jasharit, i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, Diana Kastrati, në maj të vitit 2011.
Seanca është caktuar të nisë në orën 09:30.
Jashari ndodhet në arrati që nga viti 2011, ndërsa Gjykata, përmes një ftese publike, i ka bërë thirrje që të dorëzohet dhe të paraqitet në gjykatë, në mënyrë që procedura penale të zhvillohet në praninë e tij.
Po ashtu, Gjykata u ka bërë thirrje të gjithë personave që kanë informacione relevante për vendndodhjen e të akuzuarit, që ato t’ia përcjellin Policisë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 22 tetor 2026 ka ngritur zyrtarisht aktakuzën ndaj Adnon Jasharit për veprën penale të vrasjes së rëndë.
Sipas aktakuzës, Adnon Jashari akuzohet se më 18 maj 2011, rreth orës 10:30 minuta, në udhëkryqin e rrugëve “Haxhi Zeka”dhe “Xheladin Kurbaliu” në Prishtinë, në afërsi të shtëpisë ku tani e ndjera Diana Kastrati jetonte te prindërit e saj, pas prishjes së raporteve me ish-bashkëshortin e saj jashtëmartesor, tani të pandehurin Jashari, me të cilin kishin një fëmijë, për shkak se në 2 vitet e fundit i pandehuri vazhdimisht e kishte maltertuar fizikisht dhe psiqikisht, Kastrati dhe prindi i saj- tani i dëmtuari Gëzim Kastrati kishin kërkuar edhe urdhër mrbojtës nga gjykata.
Tutje, në aktakuzë thuhet se Jashari pas disa përpjekjeve të mëhershme si dhe një ditë më parë, për të bindur tani të ndjerën Kastrati që përkundër vullnetit të saj, të shkojë dhe jetojë me të pandehurin në shtëpinë e tij, ajo nuk kishte pranuar, dhe në ditën kritike, i pandehuri e kishte përcjellë tani të ndjerën dhe befasisht ia kishte zënë rrugën, e pastaj me përdorimin e dhunës ishte munduar ta marrë me vete.
Mirëpo, akzakuza thotë se tani e ndjera nuk ishte bindur dhe derisa dëshironte të largohej nga i pandehuri, ky i fundit nga hakmarrja e paskrupullt dhe me dashje që ta privojë nga jeta, nga brezi e kishte nxjerrë revolen, ndërsa me një dorë e ka mbajtur për koke tani të ndjerën, ka shtënë dy herë me revole në drejtim të saj dhe e ka qëlluar në qafë nga afërsia, e pastaj e ka futur armën në brez dhe me hapa normal ka vazhduar rrugën në drejtim të rrugës së Tregut.
Ndërsa, tani e ndjera Kastrati sipas aktakuzës, ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, si pasojë e goditjes vdekjeprurëse nga arma e zjarrit.
Me këtë, Adnon Jashari akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, nënpar. 1.3 dhe 1.8 të Kodit Penal.
Sipas pikës II të dispozitivit të aktakuzës, i pandehuri Jashari nga periudha kohore e pacaktuar e deri më 18 maj 2011, në shtëpinë e tij, ka mbajtur në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, armën e tipit të panjohur të kalibrit 7.6 5mm, të cilën e ka përdorur në kohën, vendin dhe mënyrën e lartcekur.
Ndërsa, në po të njëjtën ditë, në dysheme të dhomës afër anës së djathtë të dritares në katin e dytë të shtëpisë së të pandehurit, policia ka gjetur dhe sekuestruar, një gëzhojë fisheku, brusha dhe lecka për pastrimin e armës, një fotrollë plastike e dorezës së armës Combat si dhe një këllëf brezi të pistoletës.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtaj në pronësi, kontroll ose psoedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.
15 vjet pas vrasjes së Diana Kastratit, Prokuroria ngre aktakuzë ndaj të dyshuarit