Muzeu që rrëfen vuajtjet e diktaturës, dëshmitë e së kaluarës tonë komuniste
Muzeu “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” në Shkodër po tërheq interesin e vizitorëve të huaj, të cilët përmes dëshmive, dokumenteve dhe hapësirave autentike njihen me të kaluarën komuniste të Shqipërisë. Në godinën që dikur shërbeu si seli e Degës së Punëve të Brendshme, vizitorët zbulojnë historitë e të burgosurve politikë dhe përndjekjen gjatë diktaturës.
Fotografitë, letrat, dorëshkrimet dhe objektet personale të ekspozuara sjellin dëshmi të jetës dhe vuajtjeve të tyre.
“Ishte një sezon tejet pozitiv në gjykimin tim pasi çdo vit tashmë numri i vizitorëve vjen vetëm në rritje, çka dëshmon që ky vend është një aset i rëndësishëm kulturor për qytetin e Shkodërs. Po ashtu dhe nivel, le të themi, turistik”, deklaroi Pjerin Mirdita, drejtor i muzeut.
Për turistët e huaj, kjo përvojë është një mundësi për të kuptuar se si funksiononte regjimi komunist në Shqipëri dhe çfarë pasojash pati në jetën e njerëzve. Vetë vizitorët tregojnë se dëshmitë dhe ambientet e ruajtura i ndihmojnë të njohin më nga afër këtë periudhë të historisë së vendit.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme, duhet ta them. Nuk është një histori e lumtur, por është një histori që duhet t’u tregohet njerëzve, veçanërisht të rinjve”, tha një prej vizitorëve.
“Më ka prekur shumë dhe më ka bërë jashtëzakonisht përshtypje pikërisht fakti që nuk e njihja absolutisht këtë realitet që kishte ekzistuar. Nuk dija vërtet asgjë për atë që kishte ndodhur”, tha një tjetër visitor i muzeut.
“Më ka habitur gjithashtu fakti që e gjithë kjo ka ndodhur vetëm pak vite më parë. Pra, është diçka shumë e afërt në kohë, por njëkohësisht shumë pak e njohur, sepse në Itali nuk kisha dëgjuar kurrë të flitej për këtë histori”, deklaroi tjetër vizitor.
I hapur si muze në vitin 2014, “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” ruan kujtimin e viktimave të diktaturës dhe u përcjell vizitorëve vendas e të huaj historinë e përndjekjes politike në Shqipëri.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



