Ministri ndryshoi qëndrim për dividendin, ekspertët kërkojnë dispozitë kalimtare për normën 8%
Paketa e re fiskale përveçse rrit normën e dividendit nga 8 në 15% vijon të shkaktojë debat për mënyrën e tatimit të fitimit të pashpërndarë të viteve të mëparshme.
Nga ministri i Financave Petrit Malaj gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë janë mbajtur 2 qëndrime për mënyrën e tatimit të fitimit të pashpërndarë.
Ministri Malaj tha fillimisht se fitimi i viteve të mëparshme, pavarësisht periudhës së kur shpërndahet do të tatohet 8%, ndërsa fitimi i realizuar pas 1 janarit 2027 do të tatohet me 15%. Më pas ndryshoi qëndrim.
Malaj përgënjeshtron vetveten: Nga 1 janari 2027, dividendi do tatohet 15% edhe për fitimet e 2026
Por për ekspertët ligji nuk mund të ketë fuqi prapavepruese, dhe se për të shmangur paqartësitë juridike mënyra e tatimit të fitimeve duhet të shprehet me dispozitë kalimtare.
Audituesi ligjor Julian Saraçi thotë se rritja e normës së tatimit mbi dividendin kërkon përcaktim të qartë të zbatimit në kohë, veçanërisht për fitimet e realizuara deri më 31 dhjetor 2026 dhe fitimet e akumuluara të viteve të mëparshme.
Sipas Saraçit, fillimisht në qëndrimin e tij të parë gjatë diskutimeve në Komision, Ministri i Financave u shpreh se synimi është që për këto fitime, edhe nëse shpërndahen pas datës 1 janar 2027, të vijojë të zbatohet norma e tatimit 8%, ndërsa norma e re 15% të zbatohet për fitimet e realizuara nga viti 2027 e në vijim.
Ky vullnet i shprehur fillimisht nga Ministri, sipas Saraçit duhet të reflektohet shprehimisht në tekstin e ligjit, nëpërmjet një dispozite kalimtare.
“Në mungesë të një dispozite të tillë, detyrimi tatimor lind në momentin e vendimmarrjes për shpërndarjen e dividendit dhe, për rrjedhojë, për vendimet e marra nga 1 janari 2027 do të zbatohej norma e re 15%, pavarësisht vitit në të cilin është gjeneruar fitimi.
Pasi, duhet të bëhet dallimi ndërmjet momentit të gjenerimit të fitimit nga shoqëria si personalitet juridik (tatuar si fitim dhe mbartura në bilanc) dhe momentit të lindjes së detyrimit tatimor për individin ortak, i cili lidhet me vendimin për shpërndarjen e dividendit e rolit të Shoqërisë si agjent i mbajtjes së tatimit në burim sipas ligjit 29/2023”, sqaron ai.
Edhe për konsulentin fiskal Artur Papajani që ligji të mos bjerë ndesh me Kushtetutën duhet të mbështet me dispozitë kalimtare.
“Me këtë rritje të tatimit nuk cenohet vetëm siguria juridike, por shkelet edhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, sipas së cilës tatimet dhe taksat vendosen me ligj dhe ligji nuk ka fuqi prapavepruese.
Sipas asaj që dëgjojmë(me të dëgjuar po kalon kjo paketë) nga data 1 janar 2027, çdo shpërndarje dividendi, pavarësisht periudhës tatimore gjatë së cilës është maturuar fitimi, do të tatohet me normën 15%. Çdo shumë e lirë monetare e shoqërive, që destinohet për shpërndarje si dividend, do të goditet nga një tatim pothuajse i dyfishuar.
A është marrë në konsideratë fakti që një investitor, ortak apo aksioner, kur siguron një pjesëmarrje në një shoqëri, ka llogaritur më parë një efekt ekonomik? Dhe ky efekt është llogaritur duke marrë në konsideratë një normë tatimore prej 8%. Ku mbetet personaliteti financiar i pjesëmarrësve në investim?
Kur individi, në fillim të vitit 2026, bën llogaritë se sa para do të investojë në një biznes, duke marrë në konsideratë se tatimi mbi dividendin është 8%, nuk mund të dalë dikush një vit më pas e t’i thotë: “Jo, kjo ishte lojë! Tani do të më paguash 15% tatim!”
Ky është një veprim krejtësisht në shpërfillje të parashikueshmërisë dhe, në thelb dekurajues e me fuqi prapavepruese”, thotë ai.
Tërhiqen financat, dividendi i 2026-s do paguajë tatim 8%, niveli i ri fillon me fitimin e 2027
Dispozitë kalimtare e propozuar nga ekspertët për dividendin 8% për vitet e mëparshme
Neni XY
- Dividendët që burojnë nga fitimet e realizuara nga personat juridikë deri më 31 dhjetor 2026, përfshirë fitimet e pashpërndara të viteve të mëparshme, tatohen me normën 8%, pavarësisht datës së marrjes së vendimit për shpërndarjen ose datës së pagesës së tyre.
- Dividendët që burojnë nga fitimet e realizuara nga data 1 janar 2027 e në vijim tatohen me normën 15%.
D.Azo
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









