Drejtori ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, dyshohet se kishte nisur përgatitjet për menaxhimin e një krize reputacioni që në fazat e hershme të saj, ndërsa kompania përballet me presion mbi imazhin publik dhe shqetësime lidhur me sigurinë kombëtare.

Sipas disa raportimeve mediatike, Huang kishte angazhuar në heshtje specialistë të menaxhimit të krizave nga firma PR Heller. Sipas revistës Wired, kompania ishte përfshirë në këtë proces që më 25 tetor, transmeton Telegrafi.


Koha e angazhimit të saj ka ngritur pikëpyetje të tjera, pasi pikërisht gjatë muajit tetor emri i Huangut u lidh për herë të parë me një person të dyshuar për bashkëpunim me inteligjencën kineze.

Heller është e njohur për menaxhimin e krizave të reputacionit që përfshijnë skandale seksuale dhe akuza për sjellje të pahijshme nga figura publike dhe drejtues biznesesh.

Përfshirja e saj në rastin e Huangut shihet si një zgjerim i strategjisë për menaxhimin e krizës personale të shefit të Nvidia-s, ndonëse çështja përfshin edhe pretendime të ndjeshme për sigurinë kombëtare.

Sipas raportimeve, shqetësimet për një komprometim të mundshëm të Huangut mund të jenë shfaqur që në nëntor, kur inteligjenca amerikane dyshohet se kishte vlerësuar se Kina mund të kishte rekrutuar një drejtues të teknologjisë për të spiunuar shefin e Nvidia-s.

Memorandume të klasifikuara, të shqyrtuara nga disa media, sugjerojnë se ekipi i Huangut po përgatitej për një krizë të mundshme që herët.

Akuzat për spiunazh kanë nxitur një hetim formal nga bordi drejtues i Nvidia-s, i cili po shqyrton natyrën dhe shkallën e marrëdhënies së Huangut me personin e dyshuar për lidhje me inteligjencën kineze.

Ndërkohë, shqetësimet janë shtuar edhe për shkak të miratimit nga Departamenti amerikan i Tregtisë të shitjes së çipave të inteligjencës artificiale për kompaninë New Matrix.

Kjo kompani, e përshkruar si një strukturë fiktive me zyra të pabanuara, dyshohet se ka shërbyer për të dërguar çipat H200 të Nvidia-s drejt Kinës, duke ngritur pikëpyetje për respektimin e kontrolleve amerikane të eksporteve.

Situata e vendos Nvidia-n përballë një krize të pazakontë. Vlera e tregut e kompanisë kishte kaluar 3 trilionë dollarë, e nxitur nga kërkesa e madhe globale për çipat e inteligjencës artificiale, ndërsa Huang ishte shndërruar në një nga drejtuesit më të suksesshëm të industrisë së teknologjisë.

Megjithatë, skandali personal dhe hetimi për lidhjet e dyshuara me inteligjencën kineze rrezikojnë të ndikojnë në imazhin e kompanisë dhe besimin e investitorëve.

Tashmë, vëmendja e tregjeve pritet të përqendrohet te rezultatet e hetimit të bordit dhe mundësia që roli i Huangut në drejtimin e kompanisë të kufizohet, edhe nëse ai vazhdon të mbajë zyrtarisht postin e drejtorit ekzekutiv.

Raporti i ardhshëm financiar i Nvidia-s dhe komunikimi i drejtuesve me investitorët mund të japin sinjale më të qarta për të ardhmen e kompanisë dhe ndikimin që kjo krizë mund të ketë në udhëheqjen e saj. /Telegrafi/