“Zlatan ma shkatërroi karrierën me Anglinë” - rrëfimi i ish-mbrojtësit për ndeshjen e vetme me kombëtaren

Përballja me Zlatan Ibrahimovicin në kulmin e karrierës së tij ishte një sfidë e vështirë për çdo mbrojtës. Këtë e ka përjetuar edhe ish-qendërmbrojtësi anglez Ryan Shawcross, i cili nuk e ka harruar kurrë debutimin me Kombëtaren e Anglisë, pasi në vetëm 10 minuta përballë sulmuesit suedez, sipas humorit të familjarëve të tij, iu “shkatërrua” karriera ndërkombëtare.
Pas disa sezoneve të mira me Stoke Cityn në Ligën Premier, Shawcross mori ftesën e parë nga Anglia në vitin 2012. Mbrojtësi kishte pritur prej kohësh këtë mundësi, por debutimi i tij erdhi në një ndeshje aspak të lehtë, përballë Suedisë, ku përballë kishte një nga sulmuesit më të rrezikshëm të futbollit botëror, Zlatan Ibrahimovicin.
Shawcross u aktivizua për rreth 10 minuta, por nuk arriti të linte përshtypjen që shpresonte. Për më tepër, ajo paraqitje u bë temë e vazhdueshme shakaje në familjen e tij, pasi të afërmit ia kujtonin vazhdimisht se Zlatani ia kishte dhënë fund karrierës me Anglinë.

Në një intervistë të cituar nga “The Telegraph”, ish-mbrojtësi anglez e kishte rrëfyer me humor atë episod.
“Unë jam objekt shakaje në familjen time, vetëm sepse 10 minutat që pata në futbollin ndërkombëtar u shkatërruan nga një njeri. Ata vazhdimisht thonë se Zlatan ma shkatërroi karrierën! Pata një shans dhe nuk mendoj se shumë mbrojtës të tjerë e kanë ndaluar".
"Më dhanë 10 minuta për të treguar se çfarë mund të bëja dhe ndoshta nuk dhashë një paraqitje mjaftueshëm të mirë. Isha kundër njërit prej sulmuesve më të mirë në botë, i cili ishte në një seri të mirë në atë kohë dhe këto gjëra ndodhin”, kishte deklaruar Shawcross.
Ironikisht, ato mbetën minutat e vetme të tij me fanellën e Anglisë. Pavarësisht paraqitjeve të mira në nivel klubesh dhe viteve të qëndrueshme në Ligën Premier, ai nuk mori më asnjë ftesë tjetër nga Anglia.
Shawcross nuk pati një karrierë të zakonshme në futbollin anglez. Pasi kaloi në akademinë e Manchester Unitedit dhe luajti për një periudhë si i huazuar te Royal Antwerp, ai u transferua te Stoke City, ku u shndërrua në një nga figurat kryesore të skuadrës dhe një mbrojtës të respektuar në Ligën Premier.

Ndërkohë, Ibrahimovic vazhdoi të shkëlqente në nivelet më të larta të futbollit evropian, duke luajtur për klube si Barcelona, Interi, Milani, Paris Saint-Germaini dhe Manchester Unitedi. Sulmuesi suedez e përfundoi karrierën në vitin 2023 me 949 paraqitje dhe 558 gola për klubet dhe ekipin kombëtar. /Telegrafi/











































