Megjithëse ende nuk është arritur një marrëveshje zyrtare, investitorët besojnë se lufta mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit po shkon drejt fundit. Kjo po pasqyrohet qartë në tregjet e naftës, ku çmimet kanë shënuar rënie. Shkak për këtë u bë deklarata e presidentit amerikan, Donald Trump, i cili tha se për sa kohë që vazhdojnë bisedimet për t'i dhënë fund konfliktit, sulme të reja ndaj Iranit janë shumë të pamundshme. Që javën e kaluar çmimi i naftës Brent, një nga standardet kryesore ndërkombëtare për tregtimin e naftës së papërpunuar, kishte rënë më shumë se 10 për qind. Pavarësisht rënies në tregjet ndërkombëtare, në vendin tonë çmimi i naftës vijon të jetë në vlera të larta, mes 212 lekë deri në 219 lekë për litër.