Greqi-Qipro, projekti i kabllit elektrik në qendër të debatit, Athina: Nuk kërkuam leje nga asnjë shtet tjetër Një gjykatës në Massachusetts të SHBA-së ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për pushimin e çështjes penale ndaj Lindsay Clancy-t, e akuzuar për vrasjen e tre fëmijëve të saj në vitin 2023.
Vendimi i hap rrugën një rigjykimi të mundshëm, pasi procesi i parë përfundoi pa një vendim përfundimtar për shkak të mosmarrëveshjeve mes anëtarëve të jurisë. Ekipi mbrojtës i Clancy-t kishte kërkuar rrëzimin e akuzave, duke argumentuar se zhvillimi i një gjyqi të dytë do të shkelte parimin ligjor të ndalimit të gjykimit dy herë për të njëjtën vepër penale.
Megjithatë, gjykatësi William Sullivan e hodhi poshtë këtë argument, duke vlerësuar se gjyqi i parë u shpall i pavlefshëm për shkak të pamundësisë së jurisë për të arritur një vendim unanim. Procesi i parë përfundoi më 4 shtator, pasi 12 anëtarët e jurisë nuk arritën të binin dakord për fajësinë ose pafajësinë e të pandehurës, raporton BBC.
Lindsay Clancy nuk e ka mohuar se ka shkaktuar vdekjen e tre fëmijëve të saj, por mbrojtja pretendon se në momentin e ngjarjes ajo vuante nga një formë e rëndë e psikozës pas lindjes, e cila kishte ndikuar rëndë në gjendjen e saj mendore.
Nga ana tjetër, prokuroria këmbëngul se vrasjet ishin të qëllimshme dhe kërkon që çështja të ndiqet penalisht.
Gjykatësi Sullivan rrëzoi gjithashtu kërkesën e mbrojtjes për të marrë në pyetje nën betim anëtarin e vetëm të jurisë që kishte kundërshtuar arritjen e një vendimi. Sipas tij, një veprim i tillë do të ishte i papërshtatshëm dhe do të ndërhynte në pavarësinë e jurisë.
Në vendimin e tij, gjykatësi theksoi se pamundësia e jurisë për të arritur një marrëveshje përbënte një arsye të mjaftueshme për shpalljen e gjyqit të pavlefshëm dhe se një proces i ri nuk përbën shkelje të të drejtave kushtetuese të të pandehurës.
Gjykata ka caktuar datën 16 nëntor për një seancë dëgjimore, gjatë së cilës pritet të diskutohet kalendari i rigjykimit. Gjykatësi ka përmendur më herët mundësinë që procesi i dytë të nisë në muajin mars.
Top Channel