Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin me 2 vite burg të kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, i akuzuar për shkelje të barazisë në tendera gjatë kohës kur drejtonte Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Në rastin e aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi reduktohet në 1 vit e 4 muaj burg.
Në konkluzionet përfundimtare të paraqitura të hënën, SPAK kërkoi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vendosjen e Becit në shërbim prove për 4 vjet. Gjithashtu, prokuroria kërkoi si dënim plotësues ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për 5 vjet.
E njëjta masë dënimi u kërkua edhe për Adela Rukon, bashkëshorten e ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, i cili ndodhet në burg për çështje të tjera penale.
Për pesë të pandehurit e tjerë, Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, Rudin Gjoni dhe Premtim Dauti, të cilët kanë qenë pjesë e strukturave të prokurimit dhe komisionit të vlerësimit, SPAK kërkoi nga 1 vit burg për secilin. Me aplikimin e gjykimit të shkurtuar, dënimi reduktohet në 8 muaj. Edhe për ta u kërkua pezullimi i ekzekutimit të dënimit dhe konvertimi i tij në 150 orë punë në interes publik.
Çështja lidhet me një tender konsulence të zhvilluar nga KESH në vitin 2019, me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjetik”, me vlerë 69.5 milionë lekë. Beci dhe gjashtë të pandehurit e tjerë akuzohen se kanë shkelur barazinë mes operatorëve ekonomikë, duke favorizuar kompaninë fituese “Consulting & Management Albania” sh.p.k.
Hetimi nisi pas referimit të materialeve të sekuestruara nga Byroja Kombëtare e Hetimit në banesën e Evis Berberit. Në telefonin e këtij të fundit u gjetën komunikime dhe materiale që, sipas SPAK, i ishin dërguar Benet Becit lidhur me tenderin. Në përgjigje, Beci kishte shkruar mesazhe si “Ok” dhe “Flm”.
Sipas prokurorisë, nga analizimi i provave ka rezultuar se Beci, në bashkëpunim me gjashtë vartësit e tij, ka paracaktuar procedurën dhe ka krijuar avantazhe e privilegje të padrejta për kompaninë fituese.
Në seancën e së hënës, avokati i Benet Becit, Ervin Metalla, kërkoi pafajësinë e klientit të tij, duke argumentuar se nuk është provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm përfshirja e tij në kryerjen e veprës penale.
Metalla pretendoi se SPAK nuk ka identifikuar asnjë urdhër apo kërkesë konkrete të Becit ndaj anëtarëve të komisionit të prokurimit ose vlerësimit të ofertave. Sipas mbrojtjes, nuk është provuar se Beci ka përcaktuar apo ndryshuar kriteret e tenderit, ka ndikuar te punonjësit apo ka ndërhyrë për t’i krijuar avantazh një operatori të caktuar.
Duke iu referuar mesazheve të shkëmbyera me Berberin, avokati argumentoi se përgjigjet “Ok, flm Visi” dhe “Flm” nuk përbëjnë prova të një marrëveshjeje kriminale.
“Në të drejtën penale nuk dënohet një person për atë që mund të hamendësohet se ka kuptuar nga një mesazh”, deklaroi Metalla, duke kërkuar që gjykata të shpallë të pafajshëm Becin.
Vendimi përfundimtar për të shtatë të pandehurit pritet të merret nga gjykata pas shqyrtimit të konkluzioneve të prokurorisë dhe mbrojtjes.



