Kompania Meta ka njoftuar zgjerimin global të një teknologjie verifikimi të moshës me anë të inteligjencës artificiale, me qëllim identifikimin më të mirë të përdoruesve adoleshentë dhe parandaluar anashkalimin e kufizimeve të vendosura për ta në rrjetet sociale. Sistemi i ri do të nisë me Instagramin këtë muaj dhe më pas do të shtrihet edhe në Facebook dhe Threads. Sipas Metës, teknologjia përdor AI për të identifikuar përdoruesit që dyshohet se janë nën 18 vjeç edhe kur ata kanë deklaruar datëlindje të rreme, duke analizuar sjelljen dhe përmbajtjen e publikuar në platforma.
Kur sistemi konstatojnë praninë e adoleshentëve, llogaritë kalohen automatikisht në një kategori mbrojtjeje të posaçme. Masat përfshijnë kufizimin e personave që mund t’i kontaktojnë të rinjtë, kontrollin e përmbajtjes që u shfaqet dhe kufizime në kohën e përdorimit të aplikacioneve, raporton AlJazeera. Për të rritur sigurinë, Meta parashikon kujtesa për ndërprerjen e përdorimit të Instagramit pas 60 minutash, heshtjen e njoftimeve gjatë natës dhe kufizime të përgjithshme të kohës ditore të përdorimit.
Gjithashtu, llogaritë e adoleshentëve do të kenë kufizime për përmbajtje dhe funksione që mund të nxisin krahasimin social, përfshirë pëlqimet dhe reagimet ndaj postimeve të përdoruesve të tjerë. Në kuadër të masave të reja, prindërit do të mund të marrin njoftime për aktivitetin e fëmijëve të tyre në platformë dhe do të informohen kur adoleshentët komunikojnë për herë të parë me një të rritur.
Vendimi i Metës vjen ndërsa kompania po përballet me kritika dhe procese gjyqësore lidhur me ndikimin e rrjeteve sociale te fëmijët dhe adoleshentët. Ekspertë të zhvillimit të fëmijëve kanë ngritur shqetësime për përdorimin e tepërt të platformave, presionin social dhe ekspozimin e të miturve ndaj përmbajtjeve të dëmshme. Meta u ka bërë thirrje edhe kompanive të tjera të teknologjisë, përfshirë TikTok dhe YouTube, të zbatojnë masa të ngjashme për identifikimin dhe mbrojtjen e adoleshentëve.

